Gjatë ditës së djeshme, gazeta “Bota Sot” publikoi një shkrim, burime të së cilës kishin zbuluar se Urgjenca e Qytetit në Prishtinë kishin pranuar një rast të dhunës në familje, njofton Insajderi.
Bëhej fjalë për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, për të cilin thuhet se ka sulmuar bashkëshorten e tij, Anitën. Për më tepër këto burime pretendonin se kishin qenë prezentë në shtëpinë e Haradinajt, me praninë e policisë.
Sot ka reaguar në lidhje me lajmin vetë Anita Haradinaj, e njohur për punën e saj ndër vite pikërisht në media. Në një bisedë telefonike për “Gazeta Express”, ajo thotë se ka lexuar raportimin e djeshëm, e kështu ajo jo vetëm që mohon një lajm të tillë, por thekson se bashkëshorti i saj nuk ka ushtruar kurrë dhunë fizike mbi të.
“Po e kam pa raportimin. Së pari unë hiç s’jam në Prishtinë, jam në Durrës. Kështu që nuk është e vërtetë hiç, po nuk e di pse janë çu peshë. Edhe bash me ta thënë të vërtetën, prej kur jam martu unë, kurrë n’jetë s’ka ndodhë Ramushi me ushtru ndonjë lloj dhune. E s’po e di ku e kanë gjetë forcën me bë kësi thashetheme banale. Sepse roli i medias, unë jam në media, i kam 21 vjet, nuk është me bë thashetheme”, tha Anita Haradinaj ndër të tjera.
E pyetur nëse ka kontaktuar me gazetën që së pari publikoi shkrimin dhe nëse do të ndërmarrë hapa ligjorë, ajo tha:
“Nuk jam marrë me këtë punë hiç, për arsye se nuk m’u ka dukë as e arsyeshme, as interesante, m’u ka dukë kot. S’është hera e parë që bëjnë [shkrime], duhet me mendu… E me ia nisë ashtu, duhet me nejtë nëpër gjykata me gënjeshtrat dhe rrenat, sidomos të ‘Botës Sot’”. /Insajderi.com