Një operacion antidrogë i policisë italiane në jug të Romës, ka vënë në pranga 13 persona.
Në mesin e tyre është edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila.
Mediat italiane shkruajnë se që në orët e para të mëngjesit agjentët e policisë italiane me ndihmën e kolegëve të Skuadrës Mobile Viterbo po ekzekutojnë urdhrin për zbatimin e masës së paraburgimit, të kërkuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Romës, e lëshuar nga Gjykata e Romës, ndaj 13 personave të cilësuar si të dyshuar, për trafikimin e lëndëve narkotike.
Mes të arrestuarve është edhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur si “Titty”.
Emri i këtij të fundit doli edhe gjatë një operacioni tjetër në korrik të vitit 2015 në një operacion të mëparshëm të Gico della Guardia di Finanza.
Si funksiononte grupi
Pjesë e të arrestuarve të “famshëm” është edhe Arben Zogu, i njohur si “Riccardiono”, i cili bashkë me Bardhin ishin pjesë të klanit të vëllezërve Guarnera, një bandë italo-shqiptare që merret me trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e tyre atje.
Grupi i boksierëve u shkatërrua në vitin 2015 nga policia italiane.
Ata kishin atëherë mbrojtjen e mafiozit Massimo Carminato, i njohur si “Mbreti i fundit i Romës” që merrej me disa aktivitete kriminale përfshirë gjobëvënie dhe trafik droge.
Dënimin më të rëndë e ka marrë Arben Zogu, i cili u dënua atëherë me 20 vite burg. Zogu njihej si ultras i ekipit të Lacios. Bashkë me të u arrestuan atëhere edhe Orial Kolaj “kampioni italian dhe evropian i peshave të mesme dhe maksimale” dhe Petrit Bardhi./Insajderi.com