Arsyeja pse po mbahet në gjyq vëllai i Unikkatil-it

Arsyeja pse po mbahet në gjyq vëllai i Unikkatil-it

Në gjykimin ku Krenar Çoçaj, Leonard Hajdari, Mentor Palokaj, Gramoz Mjeku e Burak Gërdovci po akuzohen se e sulmuan Shkëlzen Shalën dhe i shkaktuan lëndime të rënda Labinot Mehmetit pas një përleshje në lokalin e natës “Zone Club”, është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Gramoz Mjeku për shkak se ai ndodhet në Argjentinë.

Të akuzuarit e tjerë dhanë mbrojtjen e tyre ndaj akuzave për të cilat ngarkohen.

Në kohën kur kishte ndodhur ngjarja, i akuzuari Leonard Hajdari deklaroi se Mentor Palokajn e kishte shok, për Krenar Çoçajn tha se e njehte vetëm nga televizori, Burak Gërdovcin tha se e ka njohur vetëm si figurë ndërsa për Gramoz Mjekun si dhe tre të dëmtuarit Labinot Mehmeti, Drilon Mehmeti dhe Shkëlzen Shala tha se nuk i ka njohur fare.

Ai në lokalin e natës “Zone Club” në Prishtinë, ku edhe ka ndodhur ngjarja, tha se ka shkuar së bashku me shokun e tij Mentor Palokaj.

Para se të shkonte në lokalin e natës “Zone Club”, i akuzuari tha se së bashku me Mentorin më herët kishin qenë në disa lokale të tjera ku kishin konsumuar pije alkoolike si raki dhe substancë narkotike të llojit marihuanë.

“Unë me Mentorin kemi ardhë në Prishtinë më 1 janar 2015, kah ora 18:00 diku, dhe atë ditë kemi shkuar në shumë kafene të Prishtinës. Atë ditë kemi konsumuar alkool dhe marihuanë, ndërsa prej që kam dalë nga paraburgimi nuk jam tu pi më as alkool as send, tash jam martuar dhe kam krijuar familje”, tha i akuzuari.

Ai më pas deklaroi se atë natë në atë lokal me vete e kishte pasur një brisk, pasi që në Prishtinë nuk e njihte askënd dhe e kishte mbajtur “për t’u vetëmbrojtur”.

Më pas i akuzuari rrëfeu se si kishte ndodhur ngjarja:

“Kemi hyrë në “Zone Club”, e di që ka pasur shumë njerëz. Me kujtohet që e kemi pasur një shishe Vodka në tavolinë dhe e di që është bërë tollovi, se di kush ma ka mshu në kry me grusht më duket. Unë e di që njërin e kam goditë me boksa. Unë nuk e di së si jemi ndarë, më kujtohet vetëm kur kam hypë në taksi së bashku me Mentorin. Sipas kokës sime të nesërmen në mëngjes në shtëpinë time në Klinë mu ka kujtuar se e paskam goditë atë person me thikë, se di se nuk mbaj mend, ka qenë terr. Unë nuk e kam ditë që e kam lënduar, emrin e tij e kam kuptuar në stacion policor”, u shpreh i akuzuari Hajdari, duke shtuar se ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe se i ka kërkuar dhe më herët dhe se edhe tani i kërkon falje të dëmtuarit.

Edhe i akuzuari tjetër Mentor Palokaj i cili njëherësh është edhe vëllai i reperit Viktor Palokaj/Unikatilit, deklaroi se ai atë natë në lokalin e natës “Zone Club”, kishte shkuar së bashku me Leonardin, por tha se nuk e kishte parë dhe nuk kishte pasur dijeni se ai ishte fjalosur apo ishte goditur me ndokënd e për vete tha se nuk ishte përleshur apo fjalosur me askënd.

Po ai shtoi se atë natë kishte qenë nën ndikim të alkoolit si dhe të marihuanës.

Ai tutje deklaroi se përderisa kishin qenë në atë lokal papritmas kishte ndodhur një shtyre masive dhe sigurimi kishte intervenuar më pas duke i larguar njerëzit nga lokali e për shkak të tollovisë që ishte krijuar ai nuk kishte mundur ta vërente nëse Leonardi ishte përleshur me ndokënd.

Në lidhje me rastin që kishte ndodhur i akuzuari tha se Leonardi nuk i kishte thënë asgjë deri të nesërmen kur e kishte telefonuar dhe i kishte thënë: “Po më doket e kam lënduar dikë”.

Kurse i akuzuari tjetër Krenar Çoçaj deklaroi se atë natë në lokal kishte qenë së bashku me vajzën e axhës dhe disa shoqe të saj, pasi që kishin qëndruar disa orë tha se ishte drejtuar në vendin ku e kishte lënë jaknen për ta marrë dhe për të dalë jashtë. Por për shkak të tollovisë së madhe që kishte pasur atë natë ai padashje ishte ndeshur me krahë me Shkelzën Shalën, dhe se pastaj i kishin ndërruar disa fjalë derisa kishte intervenuar sigurimi dhe i kishte nxjerrë jashtë.

“Atë natë kur kam shkuar me e marrë jaknen kemi pasur një shtyrje me krahë me Shkelzenin.

“Erdh fundi i natës dhe deshta me shku në shtëpi, u dashke me i kalu gjithë ata njerëz, ndërsa jaknen e kisha diku te bari i DJ, duke shkuar me e marrë jaknen me krahë jemi rrokë, jemi kthy dhe jemi kapë jemi shty. Goditje nuk ka pasur vetëm jemi shty, pastaj hynin kallaballëk njerëz dhe na ndajtën. Ka ardhur pastaj njëfarë sigurimi Keni- Shkelzen Imeri më ka qitë jashtë, ai më ka shoqëru, pastaj menjëherë kam shku në shtëpi”, tha Çoçaj.

Ndërsa i akuzuari tjetër Burak Gërdovci u shpreh se ai nuk ka asnjë lidhje me këtë rast.

“Vetëm e kam parë duke hyrë sigurimi me grumbull, por nuk e kam njohur askënd as se kam parë, ka qenë moment, sinqerisht po ju them me gjithë respektin nuk e kam shtyrë as goditur askënd, mundesh me i pyet edhe këta djem”, tha i akuzuari Gërdovci.

Sipas aktakuzës, sulmi i pesë të akuzuarve ndaj të dëmtuarve Shkëlzen Shala e Labinot Mehmeti kishte ndodhur në janar të vitit 2015 në “Zone Club”.

Sipas aktakuzës, Leonard Hajdari e Mentor Palokaj me 2 janar të vitit 2015 në Prishtinë në lokalin-diskotekën “Zone Club”, paraprakisht janë marrë vesh me të akuzuarin tjetër Krenar Çoçaj që ta sulmojnë Shkëlzen Shalën, i cili në ato momente ishte takuar me Labinot Mehmetin.

Në bazë të aktakuzës, përleshja kishte filluar atëherë kur Leonard Hajdari e kishte shtyre dhe kishte provuar ta grushtonte Shkëlzen Shalën, pastaj edhe Krenar Çoçaj ishte vërsulur për ta goditur atë.

Në aktakuzë thuhet se me pas kishte intervenuar punëtori i sigurimit të objektit dhe e kishte ndaluar përleshjen, mirëpo Krenar Çoçaj kishte vazhduar të shqelmonte dhe kishte filluar të fjalosej edhe me punëtorin e sigurimit.

Në aktakuzë tregohet se Krenar Çoçaj e kishte kërcënuar edhe punëtorin e sigurimit Shkelzen Imeraj, të cilit i ishte drejtuar me fjalët “kam me të vra”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar dhe Mentor Palokaj e kishte kapur për flokësh Labinot Mehmetin, ndërsa Leonard Hajdari e kishte goditur me thikë Mehmetin dy herë në gjoks dhe një herë në abdomen, me qëllimin që ta privojë nga jeta.

Aktakuza sqaron se Hajdari nuk mundi ta çojë deri në fund privimin nga jeta të Mehmetit, pasi ndërhyri punëtori i sigurimit të “Zone Club”.

Pastaj, sipas aktakuzës, tash të pandehurit kishin ikur, ndërsa Labinot Mehmeti ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Në aktakuzë thuhet se shtytja në vrasje nga Krenar Çoçaj kishte ndodhur “për shkak të një vajze”.

Përveç Çoçajt që në këtë proces gjyqësor akuzohet për shtytje në vrasje, prokuroria i ngarkon Leonard Hajdarin e Mentor Palokaj për vrasje në tentativë, ndërsa Gramoz Mjekun e Burak Gërdovcin për  pjesëmarrje në rrahje.