Austin Butler do ta mishërojë Elvis Presleyn në filmin biografik

Austin Butler do ta mishërojë Elvis Presleyn në filmin biografik

Regjisoi Baz Luhrmann e ka kërkuar prej kohësh aktorin i cili do ta ekranizojë Elvis Presleyn në filmin e tij biografik, ndërsa është bërë e ditur se roli i mbretit të rock’n’rollit do t’i përkasë Austin Butlerit.

Warner Bros dhe Luhrmann në fund të muajit të kaluar i testuan një numër aktorësh për ta gjetur personin e duhur që do t’i bashkohet Tom Hanksit, i cili do të shfaqet në rolin e menaxherit të Presleyt, Col. Tom Parker. Si duket 27-vjeçarit Butler iu përshtat më mirë roli i legjendës së viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë.

“E dija se nuk mund ta bëja këtë film pa kastingun, i cili do të ishte kompletuar siç duhet. E kemi kërkuar me shumë kujdes aktorin i cili ka lëvizje natyrore dhe unike, aftësi vokale të Elvisit, por edhe ndjeshmërinë e brendshme të artistit. Gjatë gjithë procesit të kastingut, ishte nder për mua që të takohesha me një numër kaq të madh të talenteve. Kam dëgjuar për Austin Butler përmes rolit të tij me Denzel Washington në ‘The Iceman Cometh’, ndërsa përmes udhëtimit dhe testimeve intensive në ekran dhe punëtorive muzikore dhe interpretuese, pa mëdyshje e dija se e kisha gjetur dikë i cili mund ta mishërojë frymën e një prej figurave më të famshme muzikore në botë”, tha Luhrmann.

Regjisori australian gjithashtu e ka shkruar skenarin për film së bashku me Craig Pearce, shkruan KOHA Ditore. Filmi për Elvisin do ta tregojë marrëdhënien midis menaxherit veteran dhe këngëtarit të ri, i cili vjen nga rrënjët e varfra për t’u bërë ikona i cili e ndryshoi rrjedhën e muzikës.

Ky projekt e shënon filmin e parë të Luhrmann pas përshtatjes filmike “The Great Gatsby” në të cilën luan Leonardo DiCaprio.

Plani është që xhirimi i filmit për Presleyn të fillojë në vitin 2020.