Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, dhe Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dyti i qeverisë tha se qëndrimi 5 ditor në SHBA bashkë me ministrin Murati solli rezultate pozitive e lajme të mira për vendin.
“Me FMN-në, konfirmuam se Kosova do të jetë shteti i parë në Evropë që do të përfitojë nga instrumenti më i ri, i quajtur “Resilience and Sustainability Fund”. Përmes këtij programi fillimisht do të vihet në dispozicion shuma prej 80 milionë euro dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Qëndrimi 5 ditor në SHBA bashkë me ministrin Murati solli rezultate pozitive e lajme të mira për vendin.
Me FMN-në, konfirmuam se Kosova do të jetë shteti i parë në Evropë që do të përfitojë nga instrumenti më i ri, i quajtur “Resilience and Sustainability Fund”.
Përmes këtij programi fillimisht do të vihet në dispozicion shuma prej 80 milionë euro dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera.
Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore.
Pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri (precautionary SBA) në vlerë prej 100 milionë euro për 2 vitet e ardhshme.
Në takimet me Bankën Botërore, diskutuam rreth projekteve aktuale dhe të mundshme në të ardhmen mbi investime infrastrukturore që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Gjithashtu takuam dhe ekspertë kosovarë që punojnë në Bankën Botërore.
Ndërkohë me Nënsekretaren për Tregti, Maris Lago, theksuam rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit tregtar me partnerët tanë amerikanë.
Kërkuam që të vazhdohet të shfrytëzohet potenciali i madh që ekziston nga kompanitë nga Kosova të eksportojnë edhe në SHBA dhe krijimi i mundësisë për trajnime të rreth 20 ndërmarrësve nga Kosova vitin e ardhshëm në SHBA.
Në përmbyllje të kësaj vizite, nuk mund të mungonte dhe takimi i afërt dhe i përzemërt me mërgatën tonë. Folëm për ekonominë në vend dhe investime të mërgatës në nisma të prodhimtarisë në Kosovë.