Projekti Metamorphosis organizohet për herë të tretë me radhë dhe ka për synim revitalizimin e objekteve të braktisura, të pashfrytëzuara, si mënyrë e dokumentimit të të kaluarës dhe të kujtesës kolektive.
Një oborr jo shumë i vogël i një ndërtese pothuajse të shkatërruar, të përfshirë nga gjelbërimi si pasojë e braktisjes, e zbukuruar vetëm me ulëse për audiencën, ishte skena ku u realizua “but first, check the water”, e artistes Nurhan Qehaja, e cila në bashkëpunim me muzikën e kompozuar nga Liburn Jupolli sikur risolli dramën e braktisjes, e na bëri të dëgjojmë përmes tingujve historinë e harruar të objektit dhe të pathënat e atyre që e kishin përjetuar. (Lehjet e një qeni i cili nuk ishte pjesë e performancës u ndërthurën duke e bërë më të vërtetë si skenë filmi).
“Prania jonë është një ndërhyrje në një histori që nuk është e jona për ta treguar”.
Është fjala për ndërhyrjen artistike “𝗯𝘂𝘁 𝗳𝗶𝗿𝘀𝘁, 𝗰𝗵𝗲𝗰𝗸 𝘁𝗵𝗲 𝘄𝗮𝘁𝗲𝗿” që është pjesë e projektit Metamorphosis, të organizuar nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë. Projekti Metamorphosis organizohet për herë të tretë me radhë dhe ka për synim revitalizimin e objekteve të braktisura, të pashfrytëzuara, si mënyrë e dokumentimit të të kaluarës dhe të kujtesës kolektive.
Në këtë edicion u përzgjodh objekti që njihet si “Kryqi i Kuq”, historia e të cilit daton dikur para viteve 50′. Munumenti kishte qenë pronë e familjes së Iljaz Agushit, të cilit i ishte konfiskuar, ndërsa në vitet 60′ ishte përdorur si objekt banimi. Më pas objekti i njëjtë u përdor nga administrata e RTP-së, më pas nga “Kryqi i Kuq”, e deri në braktisjen e tij në vitin 2016.
Për shkak të refuzimit të kërkesës për të hyrë në objekt nga ana e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, performanca u mbajt në një tjetër vend dhe disa pjesë të saj u ndryshuan dhe u përshtatën.
Në vend se performimi të mbahej jashtë objektit, ku të tre muzikantët do të luanin muzikë veç e veç nëpër dhoma dhe audienca do të kalonte nëpër shkallë, realizimi u bë oborr dhe dera e jashtme e shtëpisë, u mbulua më shtresa të shumta të ngjitësit të kuq nga artistja.
“Pjesa me ngjitësin e kuq erdhi si përgjigje ndaj pakënaqësisë a mllefit që gjatë gjithë kohës këto hapësira po lihen të shkatërrohen dhe nuk po ndërmerret asgjë”, na tregon Nurhan Qehaja në intervistë për Gazetën Online Insajderi.
Fotografia: Atdhe Mulla
Nurhani ishte përzgjedhur për të bërë intervenimin prej Fondacionit Shtatëmbëdhjetë në një objekt që kishte kishte qëlluar rastësisht të ishte në lagjen e saj, mirëpo ajo nuk e kishte vërejtur kurrë.
“Ajo që kishte qenë interesante për mua është fakti që unë jetoj në këtë lagje, mirëpo nuk e kam parë kurrë këtë shtëpi më parë. Kur hyra brenda e ndjeva një lloj energjie, të cilën vendosa t’ua përçoj njerëzve përmes muzikës. Si diçka e humbur, si diçka e braktisur”.
Muzika sipas këtij përjetimi të saj u kompozua nga Liburn Jupolli dhe u performua nga Kaltrina Berisha- çello, Rron Bakalli- violinë dhe Yll Zhaveli- klarinetë.
Sipas Nita Zeqirit nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë, “projekti Metamophosis ka listuar një numër të caktuar të objekteve të braktisura, disa prej të cilave janë pjesë e Institutit të Mbrojtjes së Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore apo disa të tjera që ende nuk janë nën mbrojtje, duke synuar që këto hapësira të paktën për një ditë të rikthehen, duke ftuar një artist apo artiste, të cilët e konceptojnë punën e tyre bazuar në këtë objekt.”
Projekti në fjalë sipas Nitës, ka kaluar nëpër disa faza, ku në fillim hulumtohet kujtesa kolektive, pastaj përzgjidhet artisti i cili do të ndërhyjë në mënyrë artistike. Pas kësaj ekspertë të fushës diskutojnë dhe mendimet e tyre mblidhen në një libër i cili botohet.
“Mënyra se si identifikohen këto objekte varion, fatkeqësisht kryeqyteti ka shumë objekte të braktisura dhe të pashfrytëzuara të lëna në harresë nga qytetarët dhe institucionet, kalojmë afër tyre dhe nuk i vërejmë edhe pse janë pjesë e përditshmërisë tonë. Ky projekt synon të sjellë vëmendjen dhe të ngre diskutime rreth mundësisë së rifunksionalizimit të tyre” përfundon ajo./Insajderi.com