Çeku: Si Ministri e Kulturës do të dokumentojmë punën dhe artin e Rasim Thaçit

Çeku: Si Ministri e Kulturës do të dokumentojmë punën dhe artin e Rasim Thaçit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me një pjesë të stafit të MKRS-së dhe me drejtuesit e institucioneve shtetërore të kulturës, kanë bërë homazhe para Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të nderuar figurën e artistit Rasim Thaçi – Cima.

Artisti ndërroi jetë me 26 mars, pas komplikimeve me COVID-19, në Klinikën Infektive ku po trajtohej për gati dy javë.

Pas homazheve, Çeku tha se i bënë nderimet e merituara figurës së Rasim Thaçit, i cili ishte një nga artistët më të dashur të popullit të Kosovës, raporton Kosova Press, transmeton Insajderi.

“Ai një kohë ka qenë edhe sportist por përherë ka qenë artist dhe një artist mbase është dalluar me lëvizjet e tij skenike por edhe me mesazhin, i cili në kohëra të vështira, ishte edhe mesazh politik në të njëjtën kohë dhe ky mesazh jepej në situata kur nuk ishte lehtë të bëhej ky lloj aktivizmi, kjo lloj rezistence politike përmes artit dhe humorit. Ne si Ministri e Kulturës përveç nderimeve që po i bëjmë, do ta kryejmë edhe pjesën tjetër që na takon dhe lidhet me dokumentimin e punës së tij, të artit të tij, në mënyrë që gjithmonë ta kemi në kujtesën tonë dhe në të njëjtën kohë që ajo t’i shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme, jo vetëm artistëve por edhe të tjerëve për të kuptuar të kaluarën tonë por edhe për t’u frymëzuar me artin e Rasim Thaçit”, tha ai. /Insajderi.com