Me 30 dhjetor u bë e ditur se artisti Kujtim Prodani është i infektuar me COVID-19. Gjendja e tij shëndetësore paraqitej e brishtë aq sa i është dashur të shtrohet në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë që t’i nënshtrohej oksigjenimit, njofton Insajderi.
Ishte këngëtari ai që dha lajmin i pari me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! Klinika “Shefqet Ndroqi””, shkroi ai, duke ndarë edhe një fotografi nga shtrati i spitalit.
I biri i artistëve të njohur Anita Take dhe Agim Prodani, ndërroi sot jetë në moshën 57 vjeçare.
Prodani është këngëtar i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar. Është kantautor i dhjetëra këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, ndërsa për vite me radhë ai ka qenë pjesë e skenave të festivaleve të shumta.
Në prill, atëherë kur kishte vetëm pak javë që COVID-i kishte hyrë në Shqipëri, Kujtim Prodani shkroi një këngë me titull “Ju flet Corona”. /Insajderi.com