COVID-19 i merr jetën ikonës së teatrit dhe filmit shqiptar

COVID-19 i merr jetën ikonës së teatrit dhe filmit shqiptar

Një nga ikonat e teatrit dhe filmit shqiptar, Fatmir Xhelili ndërroi jetë ditën e sotme, njofton Insajderi.

Gjendja shëndetësore e aktorit ishte rënduar ditët e fundit, teksa qëndronte i shtrirë në spitalin infektiv, ku dhe humbi betejën me sëmundjen në moshën 69 vjecare.

Lajmin e hidhur të ndarjes së tij nga jeta e ka dhënë zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Të dashur miqtë e mi, me lot burri në sy ju njoftoj se një nga simbolet e artit dhe kulturës fierake, miku im dhe i të gjithëve, vëllai i Mirës, shoqes time të klasës, vëllai i Met Xhelilit shokut tim të 8-vjeçares, aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit tonë, Fatmir Xhelili, humbi jetën sot për shkak të këtij Covidi të mallkuar dhe një patologjie tjetër të mëparshme! Është një dhimbje shpirti dhe një vuajtje e vërtetë kur qytetit tonë i shuhen njerëz si Fatmiri që i kanë dhënë ndër vite gaz e kuptimplotshmëri jetës sonë, shpirtit dhe zemrës së qytetit!”, shkruan Koçi.

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi. Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj.  Ai ka luajtur edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”. /Insajderi.com