Një prej personave më me ndikim në muzikë, Simon Cowell, planifikon të incizojë një këngë bamirësie e cila do të mbledhë para për viktimat e zjarrit të Grenfell Tower.
Cowell, i cili ka nënshkruar këngët e One Direction, Little Mix dhe Fleur East në labelin e tij të Syco Music, shkroi në Twitter se ai ishte prekur aq shumë nga tragjedia, dhe donte të ishte në gjendje të përdorte influencën e tij për të ndihmuar, shkruan The Mirror.
“Po shikoj pamjet e zjarrit të Grenfell Tower në Londër, zemërthyese. Ne shpresojmë të se me anë të kësaj këngë do të mbledhim para për shumë njerëz të prekur nga kjo tragjedi”, shkroi 57 vjeçari , Ylli i X-Factor.
Rita Ora, e cila kishte luajtur si fëmijë pranë kësaj ndërtese, pastaj edhe Adele dhe Lily Alen të cilat kanë vizituar të mbijetuarit, janë këngëtaret e para të cilat mendohet që do të jenë pjesë e kësaj kënge.
Cowell ka thënë se ka shumë këngëtarë të interesuar të cilët e kanë kontaktuar dhe duan të marrin pjesë në këngën bamirëse, të cilën ai shpreson ta përfundojë më së largu të hënën.
“Ne mund ta incizojmë dhe ta kemi të përfunduar të dielën, më së largu të hënën. Ne vetëm se kemi filluar të marrim thirrje nga shumë njerëz të cilët kanë thënë ‘natyrisht që do të donim ta bënim’”, ka thënë ai.
Për ata të cilët nuk mund të shkojnë në studion e tij të incizimit, Cowell ka thënë se mund ta dërgojnë incizimin e zërit të tyre dhe ai do ta bashkojë.
Zjarri në Londër la të vdekur 17 persona dhe 30 të tjerë të plagosur, prej të cilëve 17 janë në gjendje kritike për jetë. /Insajderi.com