
Sesioni i ri parlamentar, duket se finalizohet me një dasmë. Deputetja e opozitës së re, Majlinda Halilaj, e cila në Parlament zuri vendin e Lulzim Bashës pritet t’i japë fund beqarisë.
Mësohet se deputetja e opozitës së re do të zhvillojë më datë 31 korrik në mbrëmje ceremoninë martesore, e cila do të realizohet në një prej restoranteve në autostradën Tiranë-Durrës.

Burime bëjnë të ditur se deputetja ka ftuar në këtë ceremoni shumë kolegë të Parlamentit, ku nuk mungojnë dhe përfaqësues të shumicës.
I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë dhe kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Majlinda Halilaj ishte kandidate e PD-së në listën e kryeqytetit, renditur më numrin 47. Halilaj ka hyrë në listën e PD-së si pjesë e partive aleate. Ajo është anëtare e Partisë Reformatore Demokratike, me kryetar Skënder Halilajn.

Pas djegies së mandateve ajo ishte ndër të parat që vendosi të pranojë mandatin, ndërkohë që ka marrë pjesë në të gjitha votimet e shumicës socialiste, duke dhënë votën pro për projektligjet e qeverisë.
Ajo është një emër anonim në politikën shqiptare, madje nuk rezulton të ketë folur as në një prej seancave parlamentare.
Ajo është 42 vjeç dhe në CV e saj shkruan vetëm që ka arsim të lartë dhe se ka 13 vite eksperiencë, por nuk tregon se për çfarë ka studiuar.