Detaje nga veprimtaria e dyshimtë e “Monego” e “IuteCredit” – Morën fajde nga 16 persona me kamatë 12 për qind

Mbi pesë milionë euro të dyshimta kanë hyrë në llogarinë bankare të “Monego”, në Kosovë. “IuteCredit", ndërkaq, ka marrë para me fajde nga 16 persona në Kosovë me kamatë 12 për qind. Vlera e saj është 600 mijë euro.

Detaje nga veprimtaria e dyshimtë e “Monego” e “IuteCredit” – Morën fajde nga 16 persona me kamatë 12 për qind

“Monego” dhe “IuteCredit”, kanë mohuar çfarëdo lidhje mes veti por transaksionet zbulojnë se prapa të dyjave, qëndron “Mintos”, me pronar Martins Valters, i cili po konsiderohet si njëri prej personave që përbën rrezik të madh për Kosovën. Ai, ka futur dhe qarkulluar miliona euro në tregun e Kosovës, nëpërmjet dy institucioneve financiare për kredi të shpejta, “Monego” dhe “IuteCredit”.

Dyshohet se Valters është i lidhur me Rusinë. Këtë e bënë edhe më të sigurt një vulë në pasaportën e tij, e cila sipas institucioneve kosovare është e shërbimit sekret rus, shkruan Gazeta Insajderi.

Të dy këto institucione janë mbyllur javë më parë nga Banka Qendrore e Kosovës, me arsyetimin se kanë shkelur ligjin dhe përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Pjesë e këtij rrjeti është edhe “Mogo”, e cila ende nuk është mbyllur.

Insajderi, ka zbuluar transaksionet ndërkombëtare në llogarinë e subjekti juridik “IuteCredit JCS”, me numër të regjistrimit 71358747.

Ky subjekt është regjistruar në Kosovë me 13 shkurt 2017, si shoqëri aksionare, me kapital të përgjithshëm 200,000 euro.

Sipas dokumenteve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar i subjektit është subjekti juridik “AS IuteCredit Europe”, i regjistruar në Talinn të Estonisë si shoqëri aksionare.

Sipas statutit të subjektit juridik “IuteCredit Kosovo JSC”, kjo shoqëri do të menaxhohet nga bordi menaxhues i cili përbëhet nga: Allar Niinepuu, kryetar i Bordit të Drejtorëve – Shtetas i Estonisë, Tarmo Sild, anëtar i Bordit të Drejtorëve, po ashtu shtetas i Estonisë, Mari-Liis Sammul, Anëtar i Bordit të Drejtorëve.

Drejtori ekzekutivi i shoqërisë aksionare “IuteCreditKosovo JCS”, është Shpend Maxhera.

Veprimtaria e këtij institucioni konsiderohet se ka shkelje ligjore. Si institucion mikrofinanciar, nuk ka pasur të drejtë të kryej veprimtari tjera pos dhënies së kredive. Mirëpo, duke shkelur ligjin ka marrë para me fajde nga 16 persona në Kosovë, të cilët kryesisht punojnë në banka tjera komerciale me kamatë prej 12 për qind.

Vlera e përgjithshme e kësaj fajdeje, është 600 mijë euro. Këto para i ka dhënë kredi për klientë me kamatë jashtë çdo norme, që kalojnë edhe 100 për qind.

Gazeta Insajderi, ka publikuar në Hulumtimin dy pjesësh dëshmitë për transkasionet dhe veprimtarine e dyshimtë të “Monego” dhe “IuteCredit” në Kosovë.

TRANSAKSIONET E DYSHIMTA TË LIDHURA ME RUSINË – FAJDETË E “IUTECREDIT”

MILIONA TË DYSHIMTA NË TREGUN FINANCIAR TË KOSOVËS