Shkëlqim dhe mjerim

Dikur këndonte në festivale, sot Luljeta Përbasha përballet me varfërinë e skajshme

Dikur këndonte në festivale, sot Luljeta Përbasha përballet me varfërinë e skajshme

Luljeta Përbasha, këngëtarja mirditore jeton në një lagje në periferi të qytetit në Bilisht.

Ajo hapi dyert e shtëpisë së rrënuar për kamerën e Vizion Plus, ku jeton me bashkëshortin e saj të paralizuar prej vitesh, njofton Insajderi.

Këngëtarja mes lotësh kujton ditët e saj kur ngjitej në skenat e festivaleve kombëtar si një vogëlushe e më pas si një grua e rritur.

Luljeta Përbasha dikur drejtore e bibliotekës së fëmijëve në Rrëshen, tani në moshën 60 vjeçare ndodhet në mjerim të plotë.

Për të jetuar ka bërë çdo gjë së bashku me bashkëshortin, kanë mbledhur maleve të Devollit lajthi për t’i shitur, për të siguruar kështu bukën e gojës. Luljeta Përbasha ka punuar si pastruese në shtëpi e hotele, për t’iu sjellë bukë në shtëpi fëmijëve të saj.

Të vetmet të ardhura në shtëpinë e saj janë 27 mijë lekë nga pensioni i bashkëshortit të saj.

“Unë tani kam filluar duke marrë një pension, 160 mijë lekë. Ja me këto jetoj. Kjo [shtëpi] për mua është stallë. Edhe stallë derri nuk është. Ku të përplasem?”, thotë këngëtarja.

Këngëtarja me origjinë nga Mirdita, erdhi nuse në qytetin e Bilishtit duke ndërprerë kështu edhe karrierën e saj. Ajo që i ka mbetur asaj, është të bëjë apel te të gjithë ta ndihmojnë.

“Erdha këtu, mbarova… jeta ime ka mbaruar. Më mbetën fëmijët rrugëve. Më mbetën fëmijët pa punë. Më plasi zemra. Fëmijët nuk rrinë në shtëpi se kanë frikë [nga ndërtesa]…”

Në Dhjetor 1977, Luljeta Përbasha kishte marrë pjesë në Festivalin e 16-të të RTSH-s me këngën “Qëndrojmë Si Malet”. Dy vjet më vonë, ajo merr pjesë në Festivali i 19-të në RTSH me këngën “Do Vij Patjetër”.

Luljeta Përbasha & Anton Gjoka - Lërmi Plagët Nënë Të Më Therin

Kënga e fundit që ajo publikoi ishte me datë 21 Shkurt 2013 në bashkëpunim me Anton Gjokan për këngën “Lërmi Plagët Nënë Të Më Therin”, e cila u realizua edhe me videoklip. /Insajderi.com