Capital T ka qenë ndër artistët e parë shqiptarë i cili bëri të ditur ndihmën që do të jepte për të gjithë të prekurit e tërmetit. Ai ka lajmëruar me anë të një postimi në ‘Instagram’ se paniku më i madh ka kaluar dhe se është gati të vazhdojë atë çfarë ka nisur.
“Ditë më të mira po vijnë. Jam super krenar me çfarë kemi arritur në këto ditë pune. Kosovë të dua për gjithçka që ke bërë për nënën Shqipëri. Mendoj që euforia, paniku dhe emergjenca kanë kaluar. Ato zona që unë kam vizituar edhe pa tërmet pak a shumë kanë pasur nevoja të njëjta. Depot janë plot në Shqipëri. Tashmë proçesi do të jetë i gjatë me vite për ta kthyer në normalitet dhe na duhet të fokusohemi më shumë tek ata të cilët strehohen në Kosovë momentalisht për t’ja siguruar gjithëçka që i duhet për një periudhë më të gjatë që kanë për të qëndruar, se nuk do të jetë për 3-4 ditë”, ka shkruar këngëtari në postin e tij më të fundit në ‘Instagram’.
Menjëherë pas këtij postimi nuk kanë munguar reagimet e shumta pozitive nga ndjekësit e reperit të cilët e kanë uruar për të gjitha të mirat që ka bërë.
Kujtojmë se përveç ushqimeve apo veshjeve, Capital i ofroi të gjithë të prekurve nga tërmeti edhe mundësinë për t’u strehuar.