DMX ndërron jetë

DMX ndërron jetë

Ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare reperi i njohur amerikan, DMX. Ai ndodhej në gjendje të rëndë prej ditësh në Spitalin White Plains në New York pasi pësoi sulm në zemër me 2 Prill. Lajmin e ka konfirmuar familja e tij përmes një deklarate zyrtare.

“Ne jemi shumë të pikëlluar të njoftojmë sot se i dashuri ynë, DMX, emri i lindjes Earl Simmons, vdiq në moshën 50 vjeç në Spitalin White Plains me familjen e tij në krah pasi ishte në luftë me jetën ditët e fundit.”, thuhet në deklaratë.

Qindra qytetarë u mblodhën pak ditë më parë jashtë spitalit ku ndodhej i shtruar reperi, duke u lutur për të. Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Earl Simmons, ka luftuar me varësinë nga droga që nga adoleshenca. Debutimin e tij të parë në rep e bëri në vitet ’90, kur dhe publikoi albumin e parë “It’s Dark and Hell Is Hot”.

Gjatë viteve, ai ka publikuar shtatë albume dhe ka fituar tre nominime GRAMMY. Së bashku me karrierën e tij muzikore, DMX u përfshi dhe në aktrim. Ai luajti në filmin “Belly” të vitit 1998 dhe u shfaq në “Romeo Must Die” disa vjet më vonë me Jet Li dhe këngëtaren e ndjerë Aaliyah. /Insajderi.com