Dokumetari për zërin e varësisë dhe fytyrën e triumfit (Video)

Leart Rama, regjisori i filmit "RIKTHIMI - Një tregim për Bashkësinë Cenacolo": "M'asht thy zemra shumë herë gjatë editimit të videove, sepse historitë e tyne ishin shumë të vërteta, të sinqerta, e sheh se sa shumë kanë dëshirë t’iu dalin njerëzve në ndihmë përmes tregimit të historisë së tyne’, sa shumë kanë vuajt. Prandaj vendosa që filmin ta editoj shumë thjesht, mos me ndërhy me pamje tjera. Doja të shihen vetëm fytyrat e tyne, sepse krejt dokumentarët e mëhershëm lidhur me tema të tilla, kanë qenë me fytyra të fshehuna, me za të ndryshuar, e unë vendosa që krejt filmi me qenë me fytyrat e tyne".

Dokumetari për zërin e varësisë dhe fytyrën e triumfit (Video)

Dokumentari “Rikthimi: Një tregim për Bashkësinë Cenacolo” sjellë për herë të parë në vendin tonë, tregimin për varësitë, të treguar nga persona që shfaqen përmes emrave dhe imazheve të tyre të vërteta.

Përpos kësaj, ajo që e bën këtë dokumentar unik, është tregimi i prindërve të disa prej personazheve, që e tregojnë versionin e tyre të historisë.

Ganimete Pashoja Myftiu dhe djali i saj Fat Myftiu, Laura Hajdini dhe vajza e saj Dina Hajdini, Bujar Lahu dhe vajza e tij Gresë Lahu, Nol Sahatçiu dhe Berat Safçiu, na përcjellin për një orë rrëfimin e tyre për varësinë dhe mënyrën se si ata kanë arritur të e tejkalojnë.

Varësia mbetet tabu temë ende në Kosovë, përderisa në shumë vende të botës konsumimi i substancave narkotike nga persona të varur nga to është dekriminalizuar, sepse varësia nuk është faj i individit. Personi që vuan më së shumti pasojat e varësisë është vetë i varuri, më pas edhe familja e tij.

“Sipas Gabor Mate, terapist i specializuar për varësinë dhe traumat; të gjitha varësitë, janë tendenca për ta zbutur dhimbjen”, është një citat i përdorur nga Ganimete Pashoja Myftiu, në fillim të tregimit të saj.

Personazhet dalin para kamerës dhe e “zhveshin” lëkurën e tyre para nesh.

Historitë e tyre janë të dhimbshme dhe të zymta, por ne e ndjejmë vërtetësinë e tyre lakuriqe dhe pa tendenca zbukurimi. Tregime që krijojnë kontrast. Fytyra të ndriçuara nga e tanishmja triumfuese, që flasin për një të kaluar me plotë episode të errëta.

Është drita që e përjetojnë “pasi kanë kaluar ferrin” sikur thotë Noli gjatë intervistës, apo sikur thotë zonja Hajdini; “diamanta të mbulun me pluhun, e bashkësia ku janë rehabilituar e ka hequr pluhnin dhe e ka nxjerrë diamantin.” Prandaj edhe regjisorit të dokumentarit Leart Rama, i ka mjaftuar vetëm shfaqja e fytyrave të tyre, pa asnjë intervenim. Videot të xhiruara me kamera telefoni, fillimisht për shkak të pandemisë, e pastaj si gjetje e tij për shkak të natyrës së filmit.

M’asht thy zemra shumë herë gjatë editimit të videove, sepse historitë e tyne ishin shumë të vërteta, të sinqerta, e sheh se sa shumë kanë dëshirë t’iu dalin njerëzve në ndihmë përmes tregimit të historisë së tyne’, sa shumë kanë vuajt. Prandaj vendosa që filmin ta editoj shumë thjesht, mos me ndërhy me pamje tjera. Doja të shihen vetëm fytyrat e tyne, sepse krejt dokumentarët e mëhershëm lidhur me tema të tilla, kanë qenë me fytyra të fshehuna, me za të ndryshuar, e unë vendosa që krejt filmi me qenë me fytyrat e tyne“, tregon Learti në intervistë për Gazetën Online Insajderi.

Ai thotë se këto fytyra duhet të mbahen mend, sepse janë të parët që kanë dalur hapur për të folur për varësitë, duke thyer kështu tabunë lidhur me këtë temë.

Për mua është e rëndësishme që kushdo që e sheh filmin, me i kqyrë fytyrat e tyre për një orë dhe mos me i harru, edhe me tentu mos me i paragjyku të tjerët, sepse nuk e dimë historinë e tyne.”

Bujarin, njërin nga prindërit që rrëfehet në film, koha e luftës, një periudhë e vështirë për të gjithë, e kishte gjetur pjesë të ushtrisë së vendit, vetëm për t’u kthyer në një pasluftë e cila po ashtu nuk ishte aspak e lehtë.

E pasojat nuk i kishte bartur vetëm ai, por edhe familja. Kur vajza e tij e kishte ftuar për bisedë, ai nuk kishte dyshuar që ajo kishte probleme me drogën, por kishte menduar që ishte fjala për ndonjë “problem” në lidhje me ndonjë djalë.

Kurrë nuk kam ndjerë dhimbje më të madhe se sa kur vajza ime më rrëfeu se kishte probleme me varësinë. Unë jam njeri shumë i fortë nga natyra, por në atë moment fillova të qaj”.

Të gjithë personazhet edhepse kanë histori të ndryshme se si kanë filluar varësinë, kanë të njëjtën arsye se pse e kanë filluar – është një ndjeshmëri më e fuqishme se e zakonshmja dhe paaftësia për t’u përballur me realitetin.

Nuk kom pas me kon me fol, sepse në shkollë, shtëpi apo shoqëri nuk ka pasur hapsinë, nuk ka qenë askush me’m ndihmu me e pa çka jam t’u përjetu, kështu që krejt ato ndjenja të këqija që i kam përjetu i kam shtypë. Kjo gjë më ka mundu aq shumë, sa në moshë shumë të re kam fillu me përdor droga dhe kam krijuar varshmëri. E kom rrejt veten që problemi ka qenë varshmëria, por ka qenë fakti që unë isha duke ikë nga ndjenjat e mia“, tregon Gresa në dokumentar.

Ndërsa Dina Hajdini, tregon se përderisa miqtë e saj merrnin substanca për t’u kënaqur, te ajo nevoja për to bazohej në “mbulimin e ndjenjave”.

Unë nuk kam konsumu droga për m’u knaq, por për me mujt me jetu me gjitha ato ndjenja dhe mos me i përjetu.”

Të ngjashme me këto, janë edhe rrëfimet e Beratit, i cili njëjtë kishte filluar drogat për shkak të mungesës së aftësisë për t’u përballur me ndjenjat e padëshiruara, dhe Fatit, varësia e të cilit nuk kishte të bëjë me substancat por me teknologjinë.

Gjithmonë kam qenë një lloj observuesi në jetën time, kurrë nuk kam pasur kontroll të vërtetë. Krijova një lloj raporti jo të shëndetshëm me teknologjinë dhe kjo nuk më lejonte të zhvillohem në aspekte tjera”, rrëfen Fati në dokumentar.

Pika tjetër që i bashkon është periudha e pasluftës, një kohë kur në vendin Kosovë kishte shumë pak informata lidhur me narkotikët e pothuajse fare edukim rreth tyre.

Përvoja e tyre në Bashkësinë Cenacolo kishte qenë ajo që i ka përgatitur për këtë rrëfim, sepse një nga praktikat e këtij vendi të mëson se të flasësh dhe të rrëfehesh është një nga mënyrat për t’u çliruar dhe për të parë veten dhe traumat nga një tjetër këndvështrim, diçka shume e ndryshme me edukimin tradicional-familjar të vendit tonë, ku shpesh të flasësh për ndjenjat konsiderohet dobësi.

Sipas Nol Sahatçiut i cili ka qenë edhe ideator dhe inicues i këtij filmi, “të rrëfesh për varësinë, në një vend ku kjo temë vazhdon të mbetet tabu, ka qenë e dhimshme por çliruese.” Edhe ai si personazhet e tjera, ka vendosur që vuajtjen e tij ta përdor që dikush tjetër të mësojë prej saj. Për të është shumë i rëndësishme feed back-u shumë i mirë që ka marrë, nga prindërit e tij, prindërit e tjerë, por edhe shumë persona të cilët janë duke kaluar nëpër të njëjtën gjë.

Filmi është bërë me shumë përkushtim dhe dashuri. Shpresoj që këto rrëfime do të jenë nxitje që të hapen më shumë diskutime për këtë temë, të cilën unë po e quaj ‘pandemi’. Tregimi ynë është i hidhur, por tregon për mundësinë e transformimit, secili prej nesh, përmes ndihmës së bashkësisë, ka arritur të kthehet me një vullnet më të madh se kurrë për jetë.”

Bashkësia Cenacolo ndodhet në Kroaci, ndërsa si subjekt ka shëndetin mental. Qëllimi i këtij komuniteti ofrimi i një perspektive tjetër për ata që i janë futur shtegut të vështirë të ndryshimit të jetës, përmes punës në komunitet dhe besimit.

Si fokus primar, kjo bashkësi ka të ndihmojë njerëzit që kanë probleme me varësitë, apo që kanë nevojë për ndihmë të çfarëdo lloji.

Komuniteti është formuar nga Nëna Elvira (Rita Agnes Petrozzi) më 1983, e cila kishte parë të rinjtë e humbur të vendit, të paaftë për t’u përshtatur në shoqëri dhe për të gjetur kuptim në jetën e tyre.

Safet Blakaj, drejtor i OJQ “Labirinti” e cila merret me parandalimin e abuzimit me substanca, tregoi për Insajderi-n, që në Kosovë, por edhe në vendet e afërta të rajonit, nuk gjendet asnjë qendër rehabilituese e këtij lloji.

Përpos OJQ “Labirinti” dhe Spitalit Psikiatrik, vende që japin trajtime psikologjike dhe terapi ditore deri në 10 ditë, në Kosovë nuk ka asnjë vend për rehabilitim afatgjatë nga substancat.

Sipas Blakajt “mesatarja e moshës kur të rinjtë fillojnë abuzimin me substanca, është 16.2 vjeç, ndërsa për dallim prej viteve të kaluara kur heroina ishte prej drogave më të përdorura, tash është kokaina dhe marihuana”.

Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrin e Shëndetësisë lidhur me mungesën e institucioneve rehabilituese, por nuk ka marrë asnjë përgjigje./Insajderi.com