Qyteti i Ferizajt edhe këtë vit mirëpret festivalin e shumëpritur, “Playfest”. Përkundër situatës festivali do të mbahet në parkun kombëtar “Liria”, duke iu mirëmbajtur gjithë rregullave të tanishme, njofton Insajderi.
Këtë vit, Playfest do të zhvillohet gjatë muajit gusht, me një program të larmishëm aktivitetesh që synojnë të përfshijnë tema të ndryshme kulturore-artistike dhe sociale drejt grupeve shoqërore që janë lënë pas dore nën hijen e situatës aktuale.
Festivali do të shfaqë edhe seri filmash të shkurtër rreth çështjeve të rëndësishme sociale që janë aktuale.
Të gjitha aktivitetet e festivalit do të transmetohen drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Playfest në Facebook – i cili do të mbahet pa pjesëmarrës.
Qëllimi i Playfest është të krijojë hapësirë për grupet të shoqërisë duke bashkëpunuar me të gjitha komunitetet përmes formave të ndryshme të artit, kulturës dhe programeve edukative.
Synimi “Playfest” është të krijojë dhe promovojë shoqëri të qëndrueshme me interesa të përbashkëta, por mbi të gjitha të sigurojë barazi për të gjithë shoqërinë, ku ata do të jenë në gjendje të ushtrojnë artin e tyre, t’u hapë rrugë artistëve të rinj duke i angazhuar ata në sferat sociale që kontribuojnë̈ në ndërtimin dhe zhvillimin e tyre.
Festivali do të zhvillohet përgjatë 3 ditëve, kështu duke bërë edhe një përmbledhje të gjithanshme – sepse festivali është për të gjithë. “Playfest” do të nisë nga data 21 gusht deri më 23 gusht.
Data 21 gusht
Dita e parë i dedikohet më shumë diskutimeve ku do të ketë të ftuar aktivistë të shoqërisë, ku do të trajtohen tema rreth artit, kulturës, filmit, mbrojtjes së mjedisit. E gjithë dita do të përmbyllet me disa orë muzikë klasike nga muzikantët e rinj, Arlind Lamaxhema në piano dhe Leona Salihu në violinë.
Data 22 gusht
Dita e dytë do të karakterizohet me workshope këtë radhë kushtuar librit, artit të karikaturës dhe skulpturës duke e përcjellë gjithashtu me platformën ku do të ketë komedi dhe fjalime kushtuar të drejtave të njeriut, iniciativës qytetare dhe edukimit. Ditai do të përmbyllet me muzikë të zhanrit Soul, Funk dhe Blues nga grupi muzikor “ZHAGG”.
Data 23 gusht
Programi për ditën e tretë dhe të fundit do të fillojë nga mesdita ku artistët e njohur lokalë të muzikës elektronike nga produksioni Playdrum (Altin Boshnjaku, Gemza, Leke, Liburn & Pumio Space) do të performojnë për 5 orë me radhë. Të gjithë̈ adhuruesit e muzikës elektronike dhe artit do të mund të ndjekin performancën në formatin live-stream.
Edicioni i dytë i “Playfest” pason edicionin debutues të festivalit që rezultoi të ishte tejet i suksesshëm, ku në pak ditë ishin shitur më shumë se gjysma e biletave.
Organizatorët shpresojnë që edhe ky edicion do të ketë po të njëjtën jehonë, përkundër situatës, që sipas tyre ka demoralizuar shpirtin e të rinjve, sidomos. /Insajderi.com