Dumoshi dhe Hoti ndajnë çmimin vjetor “Anton Çetta”

Dumoshi dhe Hoti ndajnë çmimin vjetor “Anton Çetta”

Sot, në Biblotekën Kombëtare në Prishtinë u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit “Anton Çetta” në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore, njofton Insajderi.

Këtë vit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, së bashku me Kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, ndanë çmimin për profesorin, Frrok Kristaj.

Frrok Kristaj u lind në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit. Shkollimin fillor e filloi në Zym dhe e kreu në Rakosh të Istogut. Shkollën Normale e kreu në Prizren, kurse Akademinë Pedagogjike në Gjilan. Vijoi studimet në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filologjik, sikurse edhe ato të Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Prishtinës.

Punoi në arsim në Planejë, Mazrrek, Gjonaj e Zym, pastaj në Akademinë Pedagogjike në Prizren, kurse nga viti 1978 ishte gazetar i të përditshmes “Rilindja” në Prishtinë.

Është bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, themelues i SHKA “Katarina Josipi” në Zym (1970), Klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym (1971), manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit” në Zym (1971), Kuizit të diturisë të Shkollës (me mësim plotësues në gjuhën) Shqipe në Gjermani (1991), i manifestimit kulturor “Ditët përkujtimore Nëna Tereze” në Prishtinë (1998), manifestimit letrar e kulturor “Gjurmë të Gjeçovit” në Janjevë (2001) etj.

Herë pas here punimet e tij janë përkthyer në gjuhën serbe në Kosovë, në gjuhën kroate (në “Oko” të Zagrebit), në gjuhën turke në Kosovë, si dhe në gjuhën suedeze e gjermane (nga Ana Maria Schertel). Është mbledhës i pasionuar i folklorit. /Insajderi.com