Dy filma të autorëve kosovar bëhen pjesë e garës për kategorinë kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë

Dy filma të autorëve kosovar bëhen pjesë e garës për kategorinë kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë

Filmi “Exil” nga regjisori Visar Morina dhe “Galaktika e Andromedës” nga More Raça është konfirmuar të jenë pjesë e kategorisë kryesore në këtë edicion të Festivalit të filmit në Sarajevë.

Festivali do të mbahet në daya 14 deri 21 gusht.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi i uroi të dy regjisorët pasi u publikua lista e programit të festivalit në fjalë.

Ajo kontaktoi me regjisorët dhe pjesëtarë të ekipit të filmi përmes një videotelefonate të cilën më pas e postoi edhe në media sociale.

“Më gëzoi lajmi që dy filmat ‘Galaktika e Andromedës’ nga More Raça dhe ‘Exil’ nga Visar Morina do të jenë pjesë e kategorisë kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë që do të mbahet nga 14 deri më 21 gusht të këtij viti.

Uroj nga zemra dy regjisorët kosovarë dhe ekipet realizuese të të dy filmave për këtë arritje të rëndësishme për ta si regjisorë dhe për kulturën e Kosovës në përgjithësi.

Pata nderin që si ministre e kulturës, rinisë dhe sportit të jem pjesë e premierës evropiane të filmit Exil në festivalin e madh të filmit ‘Berlinale”, në shkurt të këtij viti dhe i gëzohem premierës rajonale të këtyre dy filmave që është hap tjetër i rëndësishëm për promovimin tonë kulturor.

Nga pozita e ministres dhe nga pozita ime personale gëzohem që filmat që ka financuar MKRS përmes QKK-së, kanë arritur sukses në kinematografinë evropiane.

MKRS do të përkrahë gjithmonë iniciativa dhe projekte filmike që kanë kualitet të nivelit evropian, dhe me anë të të cilëve prezantojmë shtetin dhe kulturën tonë në arenën ndërkombëtare.”/Insajderi.com