Ishte fillimi i viteve 2000 kur kënga “Me ritëm do vallëzoj” u bë hit i kohës, ndërsa këngëtarja ishte ende e panjohur nga publiku.
Kjo ishte pikënisja e këngëtares nga Prishtina, Eliza Hoxha që më vonë zëri i veçantë dhe hitet do ta rendisnin ndër më të mirat e trevave shqipfolëse. Por muzika e mirë nuk ishte e vetmja rrugë që Eliza ndoqi. Ajo gjithashtu iu përkushtua profesionit të saj arkitekturës. Pas studimeve Master në Belgjikë, ajo u kthye në Kosovë për të kontribuar në vendin e saj.
Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku rrëfeu se arsyeja përse braktisi këngën dhe zgjodhi arkitekturën ishte se pikturonte shumë mirë dhe situata e paqëndrueshme politike.
“Arsyet se përse braktisa këngën dhe zgjodha arkitekturën ishin sepse kam qenë vizatuese dhe piktore e mirë në kohën e shkollës fillore dhe të mesme. Dhe e dyta situata politike. Nuk kishte asnjë kuptim që unë të shkoja dhe të studioja muzikë sepse e kisha lënë përgjysmë shkollën e muzikës. Arkitektura është ajo që më përmbush sepse lidhet me dimensionin socio-kulturor që unë e kam shumë të rëndësishëm. Më ka mbajtur mirë me veten dhe me kontekstin ku jetoj.
Arkitektura vetë është profesion shumë i gjërë dhe më ka dhënë mundësi për të eksploruar edhe në fusha të tjera. Fokusi im kryesor ka qenë aspekti socio-kulturor në atë qytet. Gjërat që unë bëj i kam lidhur me profesionin që unë kam. Shtëpia që unë kam nuk është shtëpia ime e ëndrrave, nuk jam afruar te ëndrra ime. Në fakt kjo shtëpi ka qenë shtëpi e nevojës sepse pas kthimit nga Belgjika ka qenë e pamundur që unë të jetoj me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes.
Ishte momenti kur duhej të bëja diçka për vete. Shtëpia ime është një oaz i vogël ku unë bëj punët e mia. Unë e dua si shtëpi, por qëllimi është të ndërroj vend dhe të kem një hapësirë më të madhe sepse nevojat e mia janë ndryshe sot nga ato të 10 viteve më parë. Për mua është e rëndësishme që shtëpia të jetë e rehatshme, ndryshe mbetet vetëm një projekt i bukur”, tha Eliza Hoxha./tvklan.al