Ellen DeGeneres i kërkon falje stafit të emisionit për atë çfarë ka ndodhur në punë

Ellen DeGeneres i kërkon falje stafit të emisionit për atë çfarë ka ndodhur në punë

Disa anëtarë të stafit të emisionit televiziv të Ellen DeGeneres do të zëvendësohen pasi një hetim zbuloi “defekte” në menaxhimin e përditshëm të emisionit.

Këto probleme u bënë fillimisht të ditura në një storie të Buzzfeed në të cilën punëtorët patën akuza ndaj Ellen për racizëm dhe intimidim prej saj.

Akuzuesit thanë se ambienti i punës ishte toksik dhe “i dominuar nga frika”, shkruan BBC, njofton Insajderi.

Në një email drejtuar stafit, Ellen kërkon falje dhe thotë se “jam përkushtuar që të sigurohem se kjo nuk do të ndodhë përsëri”.

“Të gjithë duhet të jemi më të vëmendshëm se si fjalët dhe veprimet tona afektojnë të tjerët dhe jam e lumtur që kjo çështje në emisionin tonë ka kapur tash vëmendjen time”, shtoi ajo.

Kompania për të cilën punon Ellen, WarnerMedia tha se “disa anëtarë të emisionit do të ndryshojnë”, si pasojë e hetimit.

Cilat ishin akuzat?

Disa anëtarë të më përparshëm dhe disa që ende punojnë në emision kanë treguar se ata janë pushuar nga puna vetëm se kanë marrë pushim mjekësor, apo kanë marrë pushim për të shkuar në ndonjë varrim. Të tjerë tregonin se u ishte thënë që mos të guxojnë t’i flasin Ellen-it nëse e shohin rreth zyrës.

Një punëtore tha se ajo ka përjetuar komente raciste në drejtim të saj dhe veprime po ashtu gjatë 18 muajve sa kishte punuar në emision.

Këto akuza shokuan publikun sepse binin ndesh krejtësisht me imazhin që e ka krijuar Ellen me emisionin e saj.

Motoja e emisionit është “tregohuni të mirë me njëri – tjetrin”, ndërsa ajo e kishte përshkruar vendin e saj të punës si “një vend lumturie”.

“Ajo fraza: tregohu i mirë, ndodh vetëm kur është kamera e lëshuar. E gjitha është vetëm sa për shfaqje”, një ish punëtor i tha Buzzfeed.

“E di se ju japin njerëzve para dhe ndihmojnë, por e gjitha bëhet veç sa për shou”.

Ellen, që ka drejtuar emisionin për 17 vjet, fillimisht nuk iu përgjigj akuzave, duke pritur derisa hetimi të përfundojë.

Në emailin e saj për stafin, ajo ka pohuar se “do të merren hapa për të përmirësuar këto çështje”.

“Një ditë në një nga emisionet tona, u kam thënë të gjithëve se The Ellen DeGeneres Shou do të jetë një vend I lumturisë – askush askujt nuk do t’ia ngrit zërin dhe se çdo kush do të trajtohet me respekt”, shkroi ajo.

“Me sa duket, diçka ka ndryshuar, dhe jam e zhgënjyer ta mësoj se nuk paska qenë ashtu si kam menduar”.

“Për këtë unë kërkoj falje. Kushdo që më njeh e di se kjo situatë është e kundërta e asaj që unë besoj dhe e kundërta e asaj çfarë kam shpresuar për emisionin tonë”.

Gjithsesi, Ellen e ka distancuar vetën nga akuzat dhe ka thënë se ata që po e flasin po e keq-prezantojnë çfarë ajo është në të vërtetë.