Elton Deda: “Shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentimit financiar”

Elton Deda: “Shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentimit financiar”

Shpërthimi i pandemisë ka prekur çdo aspekt të jetës pa dallim. E së fundmi, këngëtari Elton Deda, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shprehu zhgënjimin e tij se si qeveria e trajtoi situatën, njofton Insajderi.

Këngëtari thekson se artistët nuk janë ‘pasanikë’ dhe duhet të mbajnë gjallë familjet e tyre.

“Tashmë ne muzikantët në Shqipëri e Kosovë po hyjmë në muajin e 8 pa punuar. Një pjesë dërrmuese e jona, të ardhurat kryesore i kanë prej punës së lodhshme deri në orët e para të mëngjesit, në klube, bare e lounge të ndryshme”.

“Nuk punojmë dot, jo sepse jemi të paaftë, por sepse nuk lejohemi. Mbasi na kanë denigruar mirë e mirë me akte normative të bëra nga njerëz që thjesht nuk duan t’ja dinë për jetët e të tjerëve, mbasi na konsiderojnë pasanikë, ndërkohë që shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentit financiar, edhe nuk na dëgjojnë e nuk na përfillin”.

Meqenëse aktiviteti i artistëve u shua i tëri për shumë muaj, Deda kërkon më shumë përgjegjësi nga qeveria.

“Nëse na mbyllën, duhet të mendoheshe një strategji kompensimi, minimumi që mund të bëjë një shtet te i cili ne paguajmë rregullisht taksa. Personalisht ndihem tepër pesimist, më tepër prej indiferencës sesa prej gropës që thellohet çdo ditë”, përfundon këngëtari Deda.

Gjatë shpërthimit të pandemisë, si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri, u urdhërua mbyllja e çdo aktiviteti të jetë së natës si dhe ndalimi i çdo lloj ahengu që do tërhiqte turma të mëdha njerëzish. /Insajderi.com