Era Istrefi flet me Vjosa Osmanin: Jep detaje për shqiponjën që bëri në mes të Rusisë

Era Istrefi flet me Vjosa Osmanin: Jep detaje për shqiponjën që bëri në mes të Rusisë

Këngëtarja e njohur shqiptare, Era Istrefi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, njofton Insajderi.

Gjatë bisedës së tyre, Era foli lidhur me depërtimin e artistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare si dhe sukseset e saj.

E pyetur lidhur me paraqitjen e saj në Kampionatin Botëror në Rusi, Era tha se është ndjerë shumë mirë dhe kishte disa fjalë për Will Smith.

“Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, kanë qenë dy milionë shikues në stadiumin e Rusisë me Will dhe Nicky Jam. Will më ka lënë përshtypje shumë të mirë është interesuar shumë për Kosovën, më ka bërë pyetje të shumta se si kemi mundur t’ia dalim nga një vend i vogël, është interesuar për shumë gjëra. Çfarë e ka bërë më të veçantë është publiku shqiptar, është si asnjë publik tjetër një ndjenjë shumë e veçantë”, tha ajo.

Ndërsa, lidhur me shqiponjën që mori gjithë vëmendjen gjatë asaj paraqitje të saj, Era u shpreh se e ka ndjerë si obligim ndaj shqiptarëve që ta bënte.

“E kam ndjerë obligim shpirtëror që të bëj shqiponjën si lloj falënderimi për gjithë përkrahjen që më është bërë, më kanë qortuar pak por u kam treguar se ka qenë shumë spontante, e kam ndjerë. Në fund të ditës suksesin tim ia atribuoj shqiptarëve”, shtoi Era. /Insajderi.com