
Pas prezantimit të këngës “Plas” në festivalin “Kënga Magjike”, në rrjetet sociale si dhe në media, u ngritën dyshimet se kënga mund të jetë një dedikim i kantautorit Flori Mumajesi për një lidhje të tij dashurie që nuk pati fundin e lumtur ku u përfshi edhe Elvana Gjata. Por në një intervistë në prapaskenën e festivalit për “Abc News”, Mumajesi sqaroi se kënga nuk është dedikim për askënd.
Kurse përpara se të ngjitet të performojë këngën “Plas” në skenën e “Këngës Magjike”, Flori komunikoi drejtpërdrejt me fansat e tij në “Instagram”, duke theksuar se kjo është kënga e të gjithëve.
“Kjo këngë nuk është vetëm kënga ime. Është kënga e të gjithë atyre që kanë dashuruar dhe dashurojnë vërtetë. Dashuria i jep kuptim jetës”. – shkruan këngëtari.
Ditën e djeshme, Flori Mumajesi u shfaq në gjendje jo shumë të mirë shëndetësore, teksa zbuloi në rrjetet sociale se po merrte serum. Por gjatë mbrëmjes, ai u shfaq në publikun e “Këngës Magjike” duke treguar se nuk ishte asgjë serioze.