Fragment nga novela “Odin Mondvalsen” nga autori  Kasëm Trebeshina

Fragment nga novela “Odin Mondvalsen” nga autori  Kasëm Trebeshina

Kasëm Trebeshina lindi në Berat më 5 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua gjallërisht në Luftën Nacionalçlirimtare, prej së cilës i kanë mbetur disa plagë. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski”, të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 fillimisht në Prishtinë: Stina e stinëve, 1991; mekami, melodi turke, 1994; Histori e atyre që nuk janë, 1995 dhe në Tiranë: Legjenda e asaj që iku, 1992; Koha tani, vendi këtu, 1992; Qezari niset për në luftë, 1993; Rruga e Golgotës, 1993; Lirika dhe satirë 1994: Hijet e shekujve, 1996; Ëndrra dhe hije drama; 1996 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj. Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Per këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë nga më të çuditshmet.
“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studjuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, e cila ka dhe një titull të dytë “Këngë fëmijërie”, “Odin Mondvalsen” me titull të dytë “Një histori dashurie” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”.
Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë (Stina e stinëve) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (Fshati mbi shtatë kodra), novela tjetër, “Odin Mondvalsen” përbën një cilësi të veçantë si përsa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.
Prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realismit socialist dëmet e së cilës ishin brenda parashikimeve të tij.
Që në vitet ’50 ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin aso kohe. Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës , ndonëse nuk u botua, si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet ’90).
Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim, vendi i saj në rrjedhat e letërsisë së sotme shqiptare mbetet i papërcaktuar përfundimisht.

 

Jo!… Unë isha tek ai vend atje poshtë dhe kisha një emër. Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër… Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirur me një emër. Dhe tashti jam…
Po, mua më quajnë…
Ata qeshin se mua më quajnë…
Ç’ka këtu për të qeshur?
Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë… Më quajnë Odin Mondvalsen. Ç’punë u prish atyre se mua më quajnë kështu?… Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tashti! Si?… Nuk doni ta dëgjoni? Pse?… Se nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj?… Nuk e keni dëgjuar më parë, dëgjojeni tashti.
Njerëz me bluza të bardha vijnë vërdallë, më bëjnë inxheksione dhe ikin. Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan të dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokë e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!…
Jo!… Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. Pastak zbritëm në Hënë ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.
Bre! Sa u bënë qiqrat atë vit!… Ne hëngrëm sa u dendëm dhe pastaj unë dola përjasht tek nata dyjavëshe e Hënës, ngaqë doja të vështroja Tokën në dritën e hënës. Ose dreqi e di në dritën e kujt…
Ishte një gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.
Zot i Madh, si u ngatërruan punët!… Duket Harizit të Dajlanit i kishte humbur gomari dhe ne u nisëm për në Mars që ta gjenim. Pesë vetë për një gomar!… Dhe ne ishim që të pestë komisarë!… Po ata të katër vdiqën në Hënë dhe unë i varrosa atje. Pastaj vetëm u nisa për në Mars për të gjetur gomarin e Harizit. Duket dikush më thërriste nga pas:
– More, kthehu!… Se gomari erdhi në shtëpi!…
Mirë e kishte ai, po ku dëgjoja unë?! Isha nisur për një gomar dhe duhej patjetër ta gjeja!… Duhej patjetër të gjeja një gomar me shalë ose samar.
Djalli e mori atë punë…
Sa zbrita në Mars më diktuan, më arrestuan, më pyetën, më shanë, më rrahën dhe pastaj erdhën këta njerëzit me bluza të bardha. Këta e kanë punën me inxheksione dhe, kur heqin dorë nga ato, vinë ata të tjerët pa bluza dhe të gjitha fillojnë nga e para…/Insajderi.com