
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca e ka paditur ish-bashkëpartiakun e tij, Dardan Molliqaj, tani deputet i Partisë Socialdemokrate (PSD).
Me pretendimet se Molliqaj ka shpifur ndaj tij, Konjufca të enjten e ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këtë rast, ai ka thënë se deklarata e Molliqajt se Konjufca ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), është shpifje.
“Kam ardh me paditë shpifsin Dardan Molliqaj se unë kam qenë punëtor i SHIK-ut. Ka qenë mashtrim për të cilin do të jep llogari. I bëj thirrje që le t’i qet krejt çka ka për mu. Mezi po pres që të përballëm në gjykatë. Unë mund t’i sjelli më shumë se 1000 njerëz për me mbrojt të vërtetën. Besoj që as familjaret e Dardanit nuk vijnë me dëshmu kundër meje”, ka thënë ndër të tjerash Konjufca.
Ndryshe, Dardan Molliqaj në seancën e 2 shkurtit që është mbajtur në Kuvendin e Kosovës, për herë të parë ka thënë se Glauk Konjufca ka qenë për një vit pjesë e SHIK-ut.
Ai ka thënë se për një gjë të tillë ka edhe fakte.
Deklarimet e tij Molliqaj, i ka vazhduar edhe në debatet televizive ku ka thënë se qëndron prapa asaj që ka thënë.