Mario Dedivanovic ka zyrat e veta në një nga zonat më piktoreske të Nju Jorkut. Dy dekada më parë, ai ishte fëmija i një çifti të thjeshtë me origjinë shqiptare, emigrantë në Amerikë. Asokohe, prindërit e tij pastronin zyra të ngjashme me atë që artisti i makeup-it ka sot.
“Oh, Zot i madh. Sot mora çelësat e zyrave të mia të reja në Nju Jork në ditëlindjen e 37. U zgjova i lumtur dhe gjithashtu i emocionuar sepse kjo ka qenë një nga ëndrrat e mia për më shumë se dy dekada,” shkruan ai në Instagram.
“Kur prindërit e mi erdhën këtu, ata pastronin zyra si këto për kaq shumë vite. Gjithmonë ëndërroja që të jetoja në Nju Jork në pjesën e sipërme lindore dhe të ishte afër më zyrat e mia (Dhe ëndërroja që të ecja në këmbë me atlete dhe bluzë),” shton ai.
Në vijim, Mario thekson se është i vetëdijshëm se i është dashur shumë kohë, por është gjithsesi mirënjohës. “Shihni, e di që mund të duket si shumë kohë e gjatë për disa prej jush, por unë jam mirënjohës për udhëtimin e gjatë, lufën dhe vitet e punës së palodhur. Tani jam më i zgjuar. Kam më shumë përvojë. Jam duke u bërë njeriu që kam dashur gjithnjë të jem. Ky është një hap më shumë drejt udhëtimit të gjatë.”
Për Marion, e rëndësishme është që artistët të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe qëllimet. “Vazhdoni dhe besoni te vetja. Bëhuni më të fortë.”
“Faleminderit për mbështetjen tuaj ndër vite në mënyrë që ëndrrat e djemve të Bronx-it të bëhen realitet. Ok, e mbylla tani,” përfundon ai.