Të hënën është hapur ekspozita e piktorit Anton Krasniqit, me titull “Cikël me peizazhe”, në ambientet e “Cafe Atelie +”, që ndodhet në Prishtinë, lagjja e Aktashit, rruga “Abdyl Frashëri”, nr. 42, përballë palestrës së sportit “1 tetori”.
Ekspozita do të jetë e hapur për dy javë ditë rresht, pra deri më 02/02/2020.
Ekspozita përbëhet prej trembëdhjetë pikturave, të punuara gjatë vitit 2019. Pjesa dërrmuese e tyre është e dominuar nga lloji i peizazheve dhe për këtë arsye është titulluar “Cikël me peizazh”.
Piktori Anton Krasniqi pohoi se “karakteristikë e punimeve të mia janë koloriti i ngjyrave të theksuara, vizatimi, format, gravurat, që ngjajnë në punime të vitrazheve. Ndërsa, piktori nikoqir i ekspozitës dhe drejtues i hapësirës ekspozuese, Mentor Llapashtica, theksoi se “Anton Krasniqi është një krijues fenomenal. Ai për temë të pikturave të tij ka zgjedhur natyrën dhe mënyra e tij shprehëse është ekspresioniste.
Pikturat e Antonit i karakterizon zotërimi i koloritit të ngjyrave të përdorura.”- vlerësoi Llapashtica. Ai, gjithashtu, shtoi se “Cafe Atelie +” është hapësirë e krijuar për promovimin e artit pamor. Pikturat e Anton Krasniqit, të ekspozuara në këtë hapësirë, i mirëpresin vizitorët dhe dashamirësit e artit.