Prej kohës modelja shqiptare, Xhesika Berberi është zhvendosur për të jetuar në SHBA ku po ndjeke dhe profesionin e modelingut, njofton Insajderi. Fillimisht ajo kishte nisur të jetonte me modelen Adrola Dushin, miken e saj të ngushtë, e cila tani jeton mes Amerikës dhe Shqipërisë.
Xhesika tani ka arritur të akomodohet mirë në Shtetet e Bashkuara duke punuar dhe jetuar në një shtëpi shumë komode.
Sot gjatë ditës, një nga ndjekësit i kërkoi asaj të tregonte shtëpinë e saj në një video dhe kështu bëri. Në një video ajo na prezantoi me gardërobën, banjën, dhomën e gjumit dhe atë të ndejës. Në fund ajo tregon edhe pjesën e saj të preferuar të shtëpisë që është një ballkon i madh.
Më pas, një ndjekës tjetër e pyet se cila është këshilla më e mirë për këdo që synon botën e marketingut. Ajo këshillon që të shkrepni disa fotografi të bukura polaroid, të kyçeni online dhe të gjeni agjenci modelingu ku më pas mund të aplikoni me një portfolio të atyre fotove.
Ndërkohë, modelja ka zhvendosur fokusin e saj në një tjetër ndërmarrje që nuk ka të bëjë me botën e bukurisë. Teksa ishte e ftuar më herët në një intervistë për emisionin “Wake Up”, Xhesika tregoi se ka ndërmend të realizojë një nga projektet më të rëndësishme që ka në jetë – një kompani në Amerikë.
“Që kur kam qenë e vogël kam qenë një biznesmene shumë e suksesshme. Kur isha 10 vjeç qepja fustane për kukulla dhe dilja i shisja tek lagjja. Bëja çdo ditë nga 500 lekë të reja dhe ato që fitoja i shpenzoja me shoqërinë e lagjes”, u shpreh.
Një nga shtysat më të mëdha që ajo dëshiron të provojë veten në botën e biznesit është që në të ardhmen të ketë mundësi të bëjë punë filantropike.
“Kam dashur gjithmonë që gjërat t’i ndaj me të tjerët. Dua që kompaninë që do hap të jetë e suksesshme, pasi dua të bëj shumë punë filantropike”, kishte thënë ajo.
Kjo ëndërr e modeles vetëm se është realizuar, sepse me anë të një postimi në llogarinë e saj në Instagram ajo zbuloi se është themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e brendit të saj “3 Loves”, kompani pijesh që do të lansohet në treg së shpejti. /Insajderi.com