Historia prapa puthjes së parë në ekranin shqiptar

Historia prapa puthjes së parë në ekranin shqiptar

Sot filmi shqiptar ka arritur deri në nominimet e Akademisë së filmit “Oscar”, por rrugëtimi i tij qe i gjatë.

Jo shumë kush nga ne ndoshta mban mend aktoren që dha puthjen e parë në ekranet shqiptare. Është Tinka Kurti ajo që pa e menduar shumë gjatë pranoi që të realizonte këtë pjesë të skenarit, njofton Insajderi.

Në një insert të ndarë nga faqja në Facebook, “Të jesh grua”, Kurti dëgjohet të thotë thotë se nervozohet pak kur pyetet për puthjen.

“A di sa nervoz m’bani kur m’pyetni për këtë skenën e puthjes? Pse i bën me barrë njerëzit a?”, thotë ajo. “Ku ka më bukur se puthja?”

“Është gjëja më e bukur në jetë. Deri në Big Brother jam diskutu”, shprehet më tej aktorja.

Kur aktorja po konsideronte të merrte rolin, regjisori Kristaq Dhamo e paralajmëroi atë se ka një skenë puthjeje, po nëse ajo nuk do ndihej e gatshme, do ta hiqnin. Aktorja nuk pranoi që skena e puthjes të hiqej.

“Kristaqi më tha në skenar ka një puthje, po se deshe ti e heqim s’prish punë”, thotë ajo. “Jo more e vëmë! Unë kisha kënaqësinë me puth Naimin, ishte gjë e madhe. Ishte i bukur”.

Aktorja mban mend edhe pemën ku të dy ishin puthur. Ndonëse Naimi ishte pak më i stepur nga skena e puthjes ajo thotë duke qeshur, “Unë e putha, u kënaqa”.

Skena e famshme e puthjes ishte pjesë e filmit “Tana”, i cili u prodhua nga Kinostudio Shqipëria në vitin 1958, njihet si filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë shqiptarë. Premiera e filmit është dhënë më 17 gusht të vitit 1958. Protagonistë ishin dy aktorët, Naim Frashëri dhe Tinka Kurti, respektivisht në rolin e Stefanit dhe Tanës.

Ky film për regjisor kishte Kristaq Dhamo, skenari është punuar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, ndërsa muzika nga Çesk Zadeja.

Për të realizuar puthjen u deshën 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas si urdhër i regjimit të asaj kohe.

Më poshtë ju sjellim linkun ku mund të ndiqni të plotë filmin “Tana”. Shikim të këndshëm! /Insajderi.com