Hitet e 2018-tës që po largohen bashkë me verën

Hitet e 2018-tës që po largohen bashkë me verën

Artistët shqiptarë, si duket e kanë shndërruar në trend të njëjtën praktikë sa i përket sezonës së nxehtë verore, e ajo ka të bëjë më sjelljen në tregun muzikor të projekteve krejtësisht komerciale.

Njësoj sikurse vera e kaluar, edhe kjo e 2018-tës, po karakterizohet me tipe të njëjta këngësh, fama e të cilave shihet qartë të mos ketë jetëgjatësi në treg, por vetëm sa për ditët e nxehta të verës.

Në veçanti, për bashkë atdhetarët të cilët sezonat verore i shfrytëzojnë për pushime në vendlindje, këto këngë i shoqërojnë përgjatë kësaj periudhe, por gjithçka mbetet me aq, gjë që e kanë dëshmuar edhe projektet e verës që lamë pas.

Në mesin e shumë këngëve, frazë nga të cilat u shndërruan në fjalët më të përdora, është “Bugatti” e Gjikos dhe Skerdit, e cila brenda një kohe të shkurtër arriti të marrë shumë klikime dhe të behët pjesë e bareve e lokaleve kudo.

Përveç reperit, shumë artistë të tjerë bën bujë me projekte, por detaji që nuk mund të ikën pa u vënë re është realizmi luksoz i tyre, që tregon një shumë të madhe shpenzimesh, për të mos thënë më të mëdha se sa shpenzimet e bashkë atdhetarëve nga larg, që vijnë për pushime në Kosovë.

Një tjetër këngë e cila ka mbetur në veshin e dëgjuesve, është edhe kënga “Mike” bashkëpunim në mes të Elvana Gjatës dhe Ledri Vulajt, për të mos thënë se edhe kjo do gëzojë famën vetëm për këtë sezonë.

Përveç këtyre bashkëpunimeve, pati edhe emra të tjerë artistësh që u dëgjuan këtë verë, duke filluar nga Dafina Zeqiri, Noizy, Flori Mumajesi dhe Getoar Selimi, Genta Ismaili, Dhurata Dora e shumë të tjerë.

Vlen të përmendet, se pati edhe videoklipe tejet eksplicite të cilat u publikuan para fillimit të sezonës verore, e që mund t’i shikosh më tepër se sa ke për t’i dëgjuar.

Një të tillë e ka publikuar Enca Haxhia, një videoklip me skena që linte shumë për të dëshiruar.