Është tashmë praktikë e njohur e estradës kosovare që gjatë verës të shpërthejnë më hite, muzikë komplet komerciale, teksa fama e tyre ikën bashkë më stinen e verës.
“Moj hatixhe me shami të kuqe” ka qenë një nga frazat më të dëgjuara të kësaj vere nëpër të gjitha baret dhe vendet publike në të cilat pronarët e tyre lëshojnë muzikë për të joshur klientët.
Fraza e kësaj këngë të vjetër të muzikës popullore është përdorur nga reperi Capital T për këngën e cila sivjet mori miliona klikime dhe mbi të gjitha u lëshua miliona herë nëpër të gjithë Kosovën, por edhe bregdetin shqiptar.
Përpos kësaj, janë edhe me dhjetra hite të tjera të cilat janë dëgjuar këtë verë por bashkë me ikjen e kosovarëve që jetojnë jashtë vendit e që i kalojnë pushimet në vendlindjet e tyre.
Prania e tyre e shumtë dhe luksi që të harxhojnë më shumë sesa qytetarët vendas nëpër bare dhe klube në qytetet e Kosovës por edhe jashtë saj nëpër zonat bregdetare në Shqipëri dhe Mal të Zi ka bërë që edhe angazhimi i këngëtarëve të jetë më i madh në krijimin e hiteve që njihen si verore.
Përpos Capital T-së kanë qenë edhe shumë të tjerë reperë që sivjet janë dëgjuar me të madhe, duke filluar që nga Ledri, reperët e Baba Stars, Noizy, pastaj Mozik e Getinjo e shumë të tjerë që sollën këngët e tyre deri tek këngëtarët sikurse Dhurata Dora, Ardian Bujupi, Butrint Imeri, e shumë të tjerë.
Mirëpo ajo cfarë po bie në sy është se bashkë me ikjen e kosovarëve që në “sllangun” lokal njihen edhe si “shaca” ka ikur edhe fama e tyre pasi këngë të tilla nuk janë të njohura dhe aq të dëgjuara nëpër të njëjtat klube.
Megjithatë ja disa hitet e verës që priten të mos jenë më të tilla për shkak se duket se janë krijuar vetëm për të qenë hite sezonale./Insajderi.com