Shteti rrezikon 195 milionë euro në Arbitrazh – ish-deputeti i PDK-së kundër vëllait të tij dhe roli i Lushtakut

Një investitor i huaj, dy vëllezër – njëri ish-deputet dhe tjetri ish-drejtor i PTK-së, si dhe një ish-kryetar komune, janë të përfshirë në një ngjarje që rrezikon t'ia humbë shtetit 195 milionë euro në Arbitrazh

Shteti rrezikon 195 milionë euro në Arbitrazh – ish-deputeti i PDK-së kundër vëllait të tij dhe roli i Lushtakut

Kompania britanike Fox Marble Holdings PLC, e cila tash e shtatë vite është duke gërryer nëntokën e Kosovës, mund t’ia “gërryejë” buxhetit të shtetit edhe 195 milionë euro përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Fox Marble Holdings PLC, e përqendruar në guroret dhe përpunimin e mermerit në Kosovë, ka filluar të mërkurën procedurat ndërkombëtare të arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës për dëmet e vlerësuara prej 195 milionë eurosh.

Kompania britanike, e cila ka pasur një kontest mbi guroren e Malishevës me dy kompanitë kosovare Green Power Shpk dhe Scope Shpk, ka nisur procedurat kundër Kosovës në Arbitrazh si rezultat i dështimit të shtetit për të mbrojtur të drejtat e Fox Marble mbi këtë gurore.

Njerëzit kryesorë të kësaj ndërmarrje janë Christopher Gilbert dhe Etrur Rrustemi, të cilët në dokumente të ndryshme nuk paraqiten me identitet të njëjtë. Emri i të parit në disa raste haset edhe si “Chris”, e mbiemri i të dytit si “Albani”.

Gilbert është një biznesmen në zë. Ai ka ngritur dhe shitur shumë kompani nëpër botë në sektorë të ndryshëm, e veçmas në sektorin e muzikës.

Ndërkaq, Etrur Rrustemi kishte drejtuar për një kohë PTK-në, ndërsa vëllai i tij, Naim Rrustemi, ka qenë për një mandat deputet nga radhët e PDK-së, parti të cilën e drejton kryeparlamentari Veseli.

Siç raportoi Insajderi në muajin korrik të këtij viti, më 26 qershor 2019, Green Power Shpk dhe firma tjetër kosovare Scope Shpk, sfiduan marrëveshjen e nënshkruar me Fox Marble Holdings, të nënshkruar më 4 prill të 2019-s, e cila parashihte blerjen e aksioneve të dy kompanive lokale nga kompania britanike.

Naim Rrustemi, përfaqësues i Green Power Shpk, i tha Insajderit në muajin korrik se marrëveshja për shitjen e aksioneve të kompanisë së tij – Green Power – tek Fox Marble Holdings PLC ishte “zhbërë dhe nuk ekziston”.

“Është nënshkruar, por nuk është realizuar marrëveshja kurrë. Marrëveshja nuk është bërë me ligje të Kosovës, por me ligje të Anglisë. Nuk kemi pasur mundësi ta dërgojmë në institucionet kosovare të drejtësisë, pasi e gjithë kontrata është bërë nën juridiksionin britanik”, kishte thënë Rrustemi.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike (PDK), që shërbeu gjatë legjislaturës së tretë të Kuvendit të Kosovës, kishte thënë se marrëveshja mes Green Power dhe Fox Marble është bërë nën presion. Kishte akuzuar Sami Lushtakun se e kishte kërcënuar atë në ditën kur ishte nënshkruar marrëveshja mes tri kompanive.

Që nga ajo kohë Fox Marble ka punuar për të zgjidhur mosmarrëveshjen në lidhje me blerjen e dy kompanive kosovare me agjencitë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht me Komisionin e Pavarur të Minierave dhe Mineraleve (KPMM) dhe Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).

Kompania kishte thënë se ka paraqitur prova të hollësishme tek KPMM se ajo mban të drejtat për shfrytëzimin dhe funksionimin e gurores së saj në Malishevë.

Megjithatë, më 18 korrik të vitit 2019, operacionet e Fox Marble Holdings PLC në guroren e Malishevës u ndërprenë.

Si pasojë e vendimeve të ARBK-së dhe KPMM-së, kompania britanike ka nisur procedura të arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës javën e kaluar. Baza e kërkesës për dëme është investimi i bërë deri më tani në guroren e Maleshevës dhe humbja e të ardhurave të tjera.

Lushtaku dhe Gilbert mohojnë ta kenë kërcënuar Rrustemin 


Sami Lushtaku, drejtor për Kosovë i Fox Marble

Sami Lushtaku, prej disa muajsh ka zënë pozitën e drejtorit të Fox Marble për Kosovë; pozitë të cilën për gati shtatë vite e kishte mbajtur Naim Rrustemi.

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, në një prononcim për Insajderin të enjten, është shprehur se ai nuk ka qenë i përfshirë në marrëveshjen e arritur mes Fox Marble Holdings PLC dhe Green Power Shpk.

“Chris Gilbert më ka thirrur në Gjermani, edhe Etrur Rrustemi – bashkë kanë qenë, edhe më kanë pyetur ‘a pranon me u bë drejtor i Fox Marble?’. Unë kam pas interes me shku dhe e kam pranu këtë ftesë. Kjo ka qenë ajo që ka ndodhë”, ka thënë fillimisht Lushtaku, për Insajderin.

Lushtaku ka deklaruar se nuk është takuar asnjëherë me Naim Rrustemin për të biseduar lidhur me çështjen e gurores së Malishevës.

“Nuk është e vërtetë. Unë po të tregoj se.. unë, më kanë thirrur në Gjermani, në Frankfurt, dhe më kanë lutur për ta marrë në drejtim ‘Foxin’. Unë me Naim Rrustemin nuk jam takuar pothuajse asnjëherë, përpos tash që e thirra në telefon”, ka deklaruar ish-kryetari i Skenderajt.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, që tash e disa muaj punon për Fox Marble Holdings, thotë se ai nuk vendos për dërgimin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndonëse paralajmëron institucionet e Kosovës se kanë penguar investimet e kompanisë britanike.

“Unë i kam paralajmëruar institucionet e Kosovës se kompania angleze ka investuar në Kosovë dhe se ata janë duke i penguar investimet e saj në Kosovë. Kompania është e Fox Marble dhe ajo ka të drejtë; këta e kanë zhvatur ‘Foxin’ – Naim Rrustemi, se tjetër kënd nuk njoh”, ka thënë Lushtaku.

“Ata [firma Fox Marble Holdings, v.j] më kanë thirrur dhe më kanë thënë që ne jemi të pafuqishëm në Kosovë, do të thotë ligjet në Kosovë janë në dëm të kompanisë dhe se ata janë të detyruar ta dërgojnë çështjen në Arbitrazh”.

Se Sami Lushtaku nuk ka pasur rol në mosmarrëveshjen që rrezikon t’i humbë shtetit miliona euro, e thotë edhe Christopher Gilbert, drejtori ekzekutiv i Fox Marble Holdings PLC.

Në një intervistë të shkurtër me Gazetën Online Insajderi, Gilbert deklaroi se Sami Lushtaku është këshilltar i besueshëm i kompanisë Fox Marble në Kosovë.

“Ai është këshilltar i besueshëm, i cili ka rol mbikëqyrës mbi operacionet tona në Kosovë të cilat janë duke vazhduar dhe nuk preken nga kjo mosmarrëveshje [me Green Power Shpk dhe Scoope Shpk, v.j]”, ka deklaruar Gilbert.

Gilbert thotë se tek Lushtaku ka gjetur një njeri që përkrah investimet e huaja në Kosovë.

“Z. Lushtaku, ashtu sikurse firma Fox, përkrah vizionin e investimeve të huaja me qëllim transformimin e Kosovës dhe ai ka ofruar mbështetjen e tij në koordinim me të gjitha ligjet në fuqi të Kosovës në çdo kohë”, i ka thënë Insajderit, drejtori ekzekutiv i Fox Marble Holdings PLC.

Edhe Gilbert, sikurse Lushtaku, deklaron se asnjëherë nuk e ka kërcënuar Naim Rrustemin.

Dy vëllezër kundër njëri-tjetrit 


Etrur Rrustemi (Albani)

Në përballjen e Fox Marble Holdings PLC dhe Green Power Shpk, në dy krah të kundërt ndodhen dy vëllezër: Etrur Rrustemi (Albani) në njërin krah dhe Naim Rrustemi në krahun tjetër.

Etrur Albani, i cili ndërroi mbiemrin nga Rrustemi në Albani në vitin 2011, është vëllai i Naim Rrustemit. Ai është përfaqësues i kompanisë Fox Marble Holdings PLC dhe mban pozitë menaxhuese në kompani.

Etrur Rrustemaj (Albani) ka qenë drejtor gjeneral i Post-Telekomit të Kosovës (PTK) nga viti 2003 e deri më 2008.

Në vitin 2007, ndërmarrja publike PTK nënshkruan një kontratë me Zvonko Veselinoviqin në vitin 2007 për vendosjen e antenave të saj në veri të vendit. Ajo ishte bërë publike në tetor 2011 nga faqja “Lajme Shqip”. Po ashtu, Zvonko vetë kishte marrë pagë nga PTK si roje antene atje.

Veselinoviq supozohet të jetë njeri i fuqishëm në veri të vendit dhe që udhëheq shumë aktivitete kriminale. PTK-ja i kishte paguar atij 1.000 euro në muaj në emër të gruas së tij, Ljiljana Bozoviq, si qira për mbajtjen e antenës në pronën e tyre.

Albani kishte dhënë dorëheqje në janar 2008 nga pozita e drejtorit gjeneral të PTK-së.

Ndërkaq, vëllai i tij, Naim Rrustemi është përfaqësues i kompanisë lokale Green Power Shpk, pronare e së cilës në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) figuron Florije Rrustemi, bashkëshortja e Naim Rrustemit.


Naim Rrustemi

Rrustemi ka punuar për shtatë vite në kompaninë Fox Marble në Kosovë. Ai ka qenë drejtor i Fox Marble për Kosovë nga viti 2012 deri në muajin prill të vitit 2019.

Ish-deputeti ishte larguar nga pozita e tij në Fox Marble, kompani në të cilën kishte shërbyer si drejtor menaxhues dhe si konsulent, pas mosmarrëveshjes lidhur me guroren e Malishevës.

Gjatë kohës sa kishte pasur marrëveshje me kompaninë Fox Marble, Naim Rrustemi shprehet se i kishte dhënë leje kompanisë Fox Marble që t’i shfrytëzonte edhe asetet e kompanisë së tij, Green Power – përfshirë këtu edhe guroren e Malishevës, të cilën Green Power e ka në shfrytëzim.

“Unë kam dashur ta kem tretmanin e njëjtë sikurse e ka Christopher Gilbert në Fox Marble, por ata nuk ma kanë ofruar dhe me kanë larguar”, ka rrëfyer Rrustemi për Insajderin, në një intervistë më 19 korrik të 2019-s. “Po, unë i kam lanë me i shfrytëzu asetet e kompanisë Green Power.”

Tash, Naim Rrustemi thotë se kompania britanike Fox Marble Holdings PLC, pjesë e së cilës është vëllai i tij, Etrur Rrustemi (Albani), nuk ka asnjë bazë për të fituar kontestin ndaj Green Power dhe Scope Shpk.

“Ata nuk kanë asnjë bazë për ta fituar këtë kontest”, ka thënë Naim Rrustemi të premten, por nuk ka preferuar të flas në detaje për procedurat që janë zhvilluar brenda ligjeve të Kosovës, lidhur me marrëveshjen e kontestuar të Fox Marble Holding Plc, Green Power Shpk dhe Soocpe Shpk.

Gilbert: Shteti i Kosovës dështoi ta bënte atë që duhej ta bënte


Chris Gilbert në një intervistë për DirectorsTalk Interviews

Christopher Gilbert, në një intervistë për mediumin britanik DirectorsTalk Interviews javën e kaluar, ka thënë se shteti i Kosovës nuk i ka respektuar ligjet në fuqi të saj në rastin e Fox Marble dhe mosmarrëveshjes së saj me dy kompanitë lokale kosovare.

Në këtë intervistë, të publikuar të dielën në DirectorsTalk InterviewsGilbert thotë se Fox Marble Holdings ka bazë për të fituar kontestin kundër shtetit të Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

“Situata në Kosovë është se ne si investitorë të rëndësishëm të huaj në Kosovë, kemi të drejtë të humbasim mbrojtjen e shtetit nën ligje shumë të qarta dhe të hartuara mirë që flasin për investitorët e huaj dhe se si duhet të trajtohen ato në vend”, ka thënë Gilbert.

Drejtori Ekzekutiv i Fox Marble Holdings është shprehur se institucionet e shtetit të Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, kanë marrë vendime të jashtëligjshme që e kanë dëmtuar kompaninë Fox.

“Kjo rezultoi në një dështim të madh nga qeveria e Kosovës për të bërë atë që ata duhet të bënin”, u shpreh Gilbert të dielën.

Insajderi ka tentuar të bisedojë edhe me shefin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Ramiz Krasniqi, por kontakti përmes telefonit me të ka qenë i pamundur.

Kompania britanike, e cila tash e shtatë vjet vepron në Kosovë në nxjerrjen e mermerit dhe granitit në Kosovë, ishte vizituar para disa muajve nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

Ai pati deklaruar se “Fox Marble” nga Kosova është kompania e parë e regjistruar në bursën e Londrës nga viti 2012 dhe operon edhe me ekspertizë të jashtme. Tash, shteti do të duhet ta mbrojë veten përballë Fox Marble Holdings në Arbitrazhin Ndërkombëtar. /Insajderi.com