Humbi dy njerëz të dashur nga COVID – Sharon Stone zbulon tani se motra dhe bashkëshorti i saj po luftojnë për jetën

Humbi dy njerëz të dashur nga COVID – Sharon Stone zbulon tani se motra dhe bashkëshorti i saj po luftojnë për jetën

Sharon Stone u tha fansave këtë fundjavë se motra e saj Kelly është diagnostikuar me Coronavirus. Aktorja po fajëson ata që nuk vënë maska për ekspozimin e Kelly-t, e cila vuan edhe nga sëmundja Lupus, njofton Insajderi.

“Motra ime Kelly, e cila tashmë ka lupus, tani ka COVID-19. Kjo është dhoma e saj spitalore. Një nga ju që nuk vini maska, këni bërë këtë,” – shkruan ajo në një postim të ndarë në llogarinë e saj në Instagram.

Disa orë më vonë, Stone ndau postimin e motrës së saj duke thënë se ajo mendoi në mars se “Covid nuk do të mund ta gjente” atë dhe burrin e saj në Montana.

“Nuk shkoja në dyqan, nuk shkoja në ahengje, as nuk takova njeri. Tani mezi mund të marr frymë. Askush nuk do ta dëshironte këtë,” shkroi Kelly Stone.

Stone gjithashtu ndau një video gati katër-minutëshe, të titulluar “VOTE TO LIVE” (Voto për të jetuar), të dielën.

“Siç e dini shumë prej jush, unë postova për motrën time që ishte në spital në një dhomë COVID dhe se ajo ka Lupus dhe se po lufton për jetën e saj. Unë nuk ju njoftova se burri i saj Bruce është gjithashtu në një dhomë COVID në të njëjtin repart, duke luftuar për jetën e tij dhe se ata qëndruan në shtëpi për aq kohë sa mundën,” – tha ajo.

“Në Montana, ku ata jetojnë, ju nuk mund të testoheni nëse nuk jeni simptomatikë, dhe atëherë nuk merrni rezultatet e testit tuaj për pesë ditë. Gjithashtu, njerëzit me të cilët kanë rënë në kontakt, si nëna ime që ka pasur dy sulme në zemër, pesë stenta dhe një arrest kardiak në pesë muajt e fundit, nuk mund të bënte testin sepse ajo nuk ishte simptomatike edhe pse ajo ishte në kontakt me të infektuarit,” vazhdoi ajo.

Stone gjithashtu tha se gjyshja dhe ndrikulla e saj vdiqën nga COVID, para se të përfundonte videon e saj me një miratim për Joe Biden dhe Kamala Harris. “Me gratë në fuqi, ne do të luftojmë për familjet tona. Ne do të luftojmë që njerëzit të jetojnë. Ne do të luftojmë që njerëzit të testohen”, tha ajo. “Sepse vendet e vetme që janë mirë me COVID janë ato që kanë gra në udhëheqje. Ju lutemi votoni. Dhe ju lutemi çfarëdo që bëni, mos votoni për një vrasës”. /Insajderi.com

Burimi: EW