I arratisur nga Shqipëria, ky është vendi ku Stresi do të promovojë albumin e ri

I arratisur nga Shqipëria, ky është vendi ku Stresi do të promovojë albumin e ri
Burimi i fotografisë: Stesi/INSTAGRAM

Pas kaosit gjatë protestave të rreth një muaji më parë që do të ishin paqësore pas vrasjes së Klodian Rashës, reperi Stresi u shpall i kërkuar nga policia, njofton Insajderi.

Në një rrëfim për emisionin Prive, Stresi ka zbuluar se ai ishte arratisur drejt Kosovës, duke treguar edhe mënyrën se si ja doli ta bëjë me sukses.

“Mora një shok të timin që punon me makinat e varrimeve, vetëm për të dalë nga protesta. Kemi shkuar deri në Laç me të. Aty pastaj drejt Kosovës”, ka treguar reperi.

Ditë më vonë, me anë të disa postimeve në llogarinë e tij në Instagram, ai njoftoi se ka udhëtuar drejt Londrës ku edhe po qëndron që disa javë.

Përkundër telasheve me ligjin, reperi nuk ka lënë anash prurjet e reja muzikore, e tani ai po bëhet gati dhe të lansojë një album të ri.

Lodnra është pikërisht qyteti ku ai edhe do të bëjë promovimin e albumit të tij, ndërkaq nuk është akoma e qartë se cili është hapi i tij i radhës sa i përket problemeve me ligjin.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që reperi ka telashe me rendet e ligjit. Në vitin 2012, ai u arrestua gjatë kohës, që po dilte nga një lokal nate, pasi me vete kishte një pistoletë pa leje.

Në janar të 2015-s, Stresi ishte arratisur nga komisariati i policisë nr. 3 në Tiranë. Për këtë ngjarje u hetuan disa policë për mosveprime, ndërsa vetë këngëtari u shpall në kërkim. Atëherë ai ishte ndaluar pasi kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke i dhënë makinës në gjendje të dehur.

Ndërsa, në tetor të vitit 2018, në një njoftim për mediat, policia kishte deklaruar se Arkimed Lushaj ishte anëtar i një grupi kriminal që operonte në Tiranë në trafikun e narkotikëve dhe krimeve kundër personit. Arrestimi i artistit erdhi pas hetimeve disa mujore pikërisht ndaj këtij grupi.

Lushaj u kap në një hotel në Linzë dhe iu sekuestruan një sasi e vogël kokaine, një pistoletë dhe 12 fishekë 7.65 mm. /Insajderi.com