Filmi “I’m Thinking of Ending Things” me regji dhe skenar të Charlie Kaufman, i njohur për filmat “Being John Malkovitch” “Synecdoche, New York”, “Anomalisa”dhe “Eternal Sunshine of the Spotless Mind” nis e mbaron duke ndjekur logjikën e ëndrrave-makthe.
Historia bazë e filmit është e thjeshtë; një vajzë e re e cila ka mëdyshje lidhur me të ardhmen e lidhjes së saj, niset me të dashurin në shtëpinë e prindërve të tij, të cilët jetojnë në një fermë, ndërkohë që gjatë gjithë filmit mbizotëron një stuhi borë, që na fut mornicat e në fund bëhet si metaforë e parehatisë që të shkakton ky film. “Jeta nuk është e bukur gjithmonë në fermë”, përsëritet si një refren ndjellakeq nga Jake. Udhëtimi i tyre i ngjan një ëndrre makth që të mban trupin e tendosur për dy orë, ngjajshem me sekuencat e ëndrrave ku do të ikësh, mirëpo duket sikur trupi dhe mendja jote nuk arrijnë të komunikojnë, duke të lënë në vend sikur të jesh paralizuar.
Edhepse ngjajshem me filmat e tjerë të Kaufman edhe ky film duket sikur është udhëtim nëpër një mendje të errët e të turbullura, asnjë film tjetër i tij më shumë se ky, nuk na le ‘të uritur’ prej pyetje të shumta që ngriten gjatë filmit, dhe sa më shumë kohë kalon ato shtohen e mbesin me përgjigje të hamendësuara.
Jessie Buckley luan rolin e Vajzës së re, e cila quhet Lucy, që para se të niset me të dashurin e saj Jake, në udhëtim na paralajmëron që është duke dashur të përfundojë lidhjen me të, ani pse niset në këtë udhëtim ku ai do të ndërmarrë hapin e madh për ta presentuar me prindërit e tij. Duket sikur Charlie Kaufman që në fillim të këtij filmi na paralajmëron që nuk duhet ta shikojmë filmin përmes prizmës së realizmit, edhepse disa pjesë të filmit kanë një tendencë hiperealiste, e te disa të tjera surealizmi është mbizotërues dhe të merr vete. Historia që shtrin ai është një studim ekzaminues i mendjes së tij, apo krijuesit universal, që na qon në një shëtitje marramendëse që arrin deri te traumat e fëmijërisë dhe marrëdhënia me prindërit.
Pjesa e filmit ku Vajza e re dhe i dashuri i saj Jake arrijnë në fermë dhe takojnë prindërit e tij shënon edhe kulmin e konfuzionit tonë. Të dy prindërit e Jake duken sikur krijesa surreale që kanë aftësinë të ndryshojnë moshë dhe brenda natës, Vajza e re përjeton transformimet e tyre nëpër faza të ndryshme të jetës së tyre, ose ndoshta transformimet e tyre janë vizionet e një të ardhme të saj nëse nuk e përfundon lidhjen me të dashurinë e saj.
Kjo pjesë e filmit që shënon edhe epiqendrën e tij, duket sikur buron nga ankthi i brendshëm i dikujt që e di që po bën gjënë e gabuar, mirëpo nuk mund të ndalet së bëri atë gjë. Herë duket sikur Jake është produkt i imagjinatës së Lucy’t e herë duket e kundërta. Ndoshta në fakt ne ekzistojmë vetëm si produkt i imagjinatës së dikujt tjetër. Mënyra se si na shohin njerëzit na bën ata që jemi.
Më shumë se në secilin film tjetër, Charlie Kaufman na ka treguar që ai nuk do të shpalos mesazhet e tij për audiencën. I pyetur nga Indiewire, Charlie thotë se “ Unë nuk kam dëshirë shumë të spjegoj se si janë gjërat. Dëshiroj që njerëzit të kenë përvojat e veta, prandaj nuk kam pritje për mënyrën se si njerëzit do të mendojnë për filmat e mi. Unë e mbështes secilin interpretim”.
Për të arritur efektin e tij të kriptuar me qindra mesazhe, ky film rekomandohet të shihet më shumë se një herë. Për ata që kanë parë mjaft herën e parë, Charlie Kaufman tregon që Jake dhe vajza që quhet Lucy, mirëpo nuk është shumë e sigurt që ky është emri i saj, janë i njejti person, apo për të shkuar më larg janë dy personazhe të krijuara nga imagjinata e pastruesit të vetmuar të shkollës, duke i bërë kështu më kuptimplota sekuencat nëpër të cilat shfaqet ai. Pastruesi ose Jake, e ka krijuar Lucy nga librat e filmat e shumtë që ka parë, sepse në një analizë më të thellë, e sheh që këta dy personazhe i flasin njëri tjetrit, por nuk flasin me njëri tjetrin. Është një njeri kreativ dhe uni i tij. Jake dhe e dashura e tij brenda makinës në stuhi janë dy pjesë të vetdijës që komunikojnë me njëra tjetrën, një monolog i brendshëm.
“Më pëlqen të theksoj faktin që edhe brenda fantazisë së tij, Jake nuk është i lirë të ketë gjërat që do”, thotë Kaufman për Indiwire. “
Ai do të imagjinojë një romancë, por nuk është i aftë të imagjinojë mënyrat se si nuk po funksionon kjo romancë, se si ajo është mërzitur me të, apo se si ai nuk është i mençur mjaftueshëm ose interesant. Jake tenton të zgjidhë gjithë këto probleme duke shpikur karaktere të reja, të cilat vetëm sa ia rrisin fokusin në vetveten”.
Për habinë e të gjithëve filmi përfundon me një sekuencë vallëzimi, ku dy aktorët kryesorë zëvendësohen me dy valltarë, të cilët përcillen prej pastruesit. Koreografinë e këtij vallëzime e ka bërë Peter Walker. Koreografia mund të mirret edhe si kodi i fundit që përdor për t’u shpjeguar ky film.Sipas këtij epilogu ky vallëzim mund të jetë një lloj transicioni nga tensioni narrativ për të treguar se si përvoja e të absorbuarit gjëra të përditshmërisë devijon duke u bërë pjesë e psikikës tonë.
Vallëzimi dhe fundi i filmit mund të interpretohet sikur momenti kur pastruesi e vërën që po I afrohet fundit të jetës së tij të pa jetuar dhe se gjithë historia mund të jetë një udhëtim i tij i fundit nëpër dëshirat e paplotësuara./Insajderi.com