Inteligjenca emocionale – ana tjetër e të qenit i mençur

Inteligjenca emocionale – ana tjetër e të qenit i mençur

Inteligjenca emocionale është ajo “diçka” brenda secilit person dhe është pak e pakuptueshme pasi nuk diskutohet shumë dhe nuk është parë si e rëndësishme për një kohë të gjatë.

Ndikon në mënyrën se si rrjedhin sjelljet, si bëhet kontrollimi i problemeve shoqërore dhe ndikon në marrjen e vendime personale të cilat e shpijnë njeriun tek rezultatet pozitive.

Është shfaqur si term nga nevoja e shpjegimit të rasteve kur njerëzit me inteligjencë mesatare tejkalonin ata me inteligjencë shumë më të lartë. Nga studime të shumta nga psikologë, doli rezultat që arsyeja ishte inteligjenca më e lartë emocionale tek disa njerëz.

Ajo ndikon në interpretimin e sjelljeve të njeriut. Inteligjenca emocionale është baza për një mori aftësish kritike – ajo ndikon shumë në gjithçka që ju thoni dhe bëni çdo ditë.

Inteligjenca emocionale përbëhet nga katër aftësi thelbësore që grupohen në dy aftësi primare: aftësitë personale dhe aftësitë sociale, raporton faqja për studime të inteligjencës emocionale TalentSmart.

Aftësitë personale përbëhen nga aftësitë tuaja të vetëdijes dhe vetëmenaxhimit, të cilat përqendrohen më shumë tek ju dhe ndjenjat tuaja të brendshme se sa në ndërveprimet tuaja me njerëzit e tjerë. Kjo pasqyron se sa personi e njeh veten dhe emocionet e tij, dhe si rezultat di t’i menaxhojë.

Vetëdijesimi është aftësia juaj për të perceptuar me saktësi emocionet tuaja dhe për të qëndruar i vetëdijshëm për to përderisa ato manifestohen, transmeton Insajderi.

Vetë-menaxhimi është aftësia juaj për të përdorur këtë dijeni që e keni për emocionet tuaja për të qenë fleksibil dhe drejtuar sjelljen tuaj si ju përshtatet në mënyrë pozitive.

Si shembull mund të merrni kur dikush apo diçka ju lëndon apo nervozon tej mase, por duke e kuptuar këtë emocion dini si ta menaxhoni dhe nuk e lini të ju shkatërrojë apo të ju mbajë keq për një kohë të gjatë.

Aftësitë sociale përbëhen nga aftësitë tuaja të vetëdijes për shoqërinë dhe aftësive menaxhimit të raporteve me shoqërinë. Shkurt kjo është aftësia për të kuptuar disponimin, sjelljen dhe motivet e të tjerëve në mënyrë që të mund t’i përmirësosh raportet me ta.

Ndërgjegjësimi social është aftësia juaj për të kuptuar me saktësi emocionet tek njerëzit e tjerë dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh me të vërtetë.

Si p.sh. dikush është mërzitur për shkak se ka pasur një mosmarrëveshje, por nuk ju tregon juve direkt dhe ju mund ta kuptoni nga sjellja e tij.

Menaxhimi i marrëdhënieve me njerëzit është aftësia juaj për të përdorur vetëdijen për emocionet tuaja dhe të tjerëve për të pasur raport më të mirë.

Kur e shihni shokun që është lënduar për shkak të një mosmarrëveshje, dhe nëse ai nuk sillet korrekt me ju, ju dini që nuk është faji juaj dhe e ktheni bisedën në atë drejtim duke mos prishur raportin që keni.

Përpos mbajtjes së lidhjeve, si shoqërore edhe ato romantike, inteligjenca emocionale është e rëndësishme edhe për mbajtjen e raporteve të mira në punë dhe sukses të mëtutjeshëm.