Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka përfunduar vizitën e tij në Kosovë të martën.
Burime të Shqip.com kanë bërë të ditur se ai tashmë është nisur drejt Hagës, pasi që ka përfunduar leje qëndrimi i tij në Kosovë.
Veseli kishte ardhur në Kosovë të hënën pasi që i kishte vdekur nëna, të premten në moshën 93-vjeçare.
Kurse, kjo është hera e tretë që Veseli viziton Kosovën prej kur po mbahet në Hagë që nga viti 2020.
Ndryshe, Veseli për herë të parë nga paraburgimi ishte në Kosovë në maj të 2021-ës për të vizituar babain e tij që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Mitrovicës.
Për herë të dytë ai erdhi për t’i dhënë lamturën e fundit babait të tij në korrik që tashmë ishte varrosur në fshatin e tij të lindjes, në Broboniq të Mitrovicës.
Kadri Veseli është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë pasi që i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale në nëntor të vitit 2020.
Ai së bashku me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen se mes marsit 1998 deri në shtator 1999 së bashku me anëtarë tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar si dhe ushtruar kontroll mbi gjithë Kosovën përmes metodave të frikësimit, keqatrajtimit, ushtrimit të dhunës dhe eliminimit të paligjshëm të atyre që i konsideronin kundërshtarë./