Këngëtari legjendar njofton se është diagnostikuar me Alzheimer

Këngëtari legjendar njofton se është diagnostikuar me Alzheimer

Tony Bennett dhe familja e tij kanë folur hapur për diagnostikimin e këngëtarit me sëmundjen Alzheimer, shkruan CNN, transmeton Insajderi.

Këngëtari legjendar, i cili është 94 vjeçar, filloi të tregonte simptoma të sëmundjes në vitin 2015, sipas një raporti nga revista AARP, të cilin ai e falënderoi në Twitter që i lejoi ta tregonte historinë e tij.

“Jeta është një dhuratë – madje edhe me Alzheimer. Faleminderit Susan dhe familjes time për mbështetjen e tyre dhe @AARP The Magazine për tregimin e historisë time”, shkroi ai.

Bennett u diagnostikua zyrtarisht me Alzheimer në vitin 2016, por publiku nuk kishte dijeni për shëndetin e tij në rënie, sepse ai vazhdoi të performonte.

Me inkurajimin e ekipit të tij të neurologëve, Bennett ka vazhduar të këndojë dhe të luajë muzikë në shtëpi për të ndihmuar në stimulimin e trurit të tij në mënyra pozitive. Ai gjithashtu mban një dietë të veçantë dhe ushtron rregullisht me një trajner. /Insajderi.com