Manjola Nallbani është tërhequr nga gara në “Festivalin e Këngës”, ku do të garonte më këngën “Ora e jetës”. Në fillim, ishte njoftuar se 26 artistë do të merrnin pjesë në spektakël, ndërsa tani në të gjitha njoftimet e festivalet, theksohet se marrin pjesë vetëm 25 artistë.
Për më tepër, kënga e Nallbanit është fshirë nga lista e këngëve garuese të këtij edicioni.
Shkak për tërheqjen e saj u bë gjendja shëndetësore e këngëtares, e cila para disa javësh njoftoi se kishte testuar pozitivë për Coronavirus. Kontaktuar nga “Anabel.al”, Nallbani pohoi se ka hequr dorë nga festivali, shkaku se ajo mungoi në provat e artistëve nga pamundësia e saj të ishte prezente, njofton Insajderi.
“Unë jam tërhequr nga Festivali, sepse gjatë kohës që bëheshin prova dhe përgatitje nga konkurrentët e tjerë, unë kam qenë me Covid. Përveç kësaj, sepse tani jam më mirë, por kryesorja [e tërheqjes nga gara është] që Festivali do të mbahet jashtë në shesh dhe unë nuk mund të rrezikoj shëndetin përsëri në një kohë që jam duke u rikuperuar dhe duhet të kem kujdes”, është shprehur Nallbani.
Me 8 dhjetor, këngëtarja hyri në llogarinë e saj për të njoftuar ndjekësit se kishte testuar pozitive me Coronavirus.
Disa ditë më vonë ajo ndau një tjetër postim, duke theksuar se gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar, meqenëse nuk ishte nga rastet e lehta. Dhe tani këngëtarja po merr pak pushim nga skena derisa shëndeti i saj të rimëkëmbet plotësisht. /Insajderi.com