
Gjatë mbrëmjes së djeshme, këngëtarja Olta Boka pa qëllim publikoi një video të vajzës së saj Gaia në rrjetin social, Instagram, njofton Insajderi.
Videoja shumë shpejt u fshih nga llogaria e saj, e cila u pasua me një kërkesë nga këngëtarja. Ndonëse ajo ende nuk ka zbuluar portretin e vajzës së saj, me shumë mirësjellje ka kërkuar që të mos keqpërdoret videoja e publikuar në një moment pakujdesie teksa po bisedonte me kushërirat e saj.
“Nuk e di d.m.th. se si mu thanë duart dhe postova pa dashje (në vend që ta dërgoja privatisht) një bisedë (video me Gaian) që po bëja me kushërirat e mia në Insta”, shkruan ajo.
“Ju lutem gazetarëve me shpirt, të më kuptojnë në mos përdorimin e këtij momenti kaq delikat”, vazhdon ajo, duke e quajtur këtë si një gabim trashanik të një nëne që përpiqet të mbajë të bijën larg rrjeteve sociale.
Ndonëse ajo kërkoi mirëkuptimin e mediave, ndoshta nuk do kishte imagjinuar që ndjekësve, sidomos njërës nga ata do i dukej absurde dhe do përballej me fjalë të rënda.
“Se di si ke zemër dhe thua kështu për një postim që e ke bërë për evladin tënd. A je more ti normal që thua mu thanë duart se e postova një video me vajzën? Tmerr çfarë nëne i thua vetes, a mos je duke rritur ndonjë sulltan a sulltaneshë që nuk dëshiron ta postosh? Figurat më të njohur botërore postojnë fëmijët e tyre. Po të isha afër do t’i bëja hundët përshesh”, ishte ky mesazhi i ndjekëses.
Ndërkaq, aktorja i kishte kthyer se do i përgjigjej publikisht, dhe ashtu bëri.
“Ja pse nuk e postoj evladin tim! Prej ‘njerëzve’ si puna jote që s’di ku e kanë zemrën!!”, shkruan këngëtarja në postimin që tashmë kishte bërë publik në Instagram.
Përgjigja e aktores vazhdon më tej: “Ta paskam zili prindërimin, por ti hallin Sulltaneshës time mos ja qaj hallin. Do ketë gjithmonë një mama që do e mbrojë prej teje dhe specieve të tjera si ti. Fundja të dyja duart për një kokë janë dhe aty kupton pastaj çfarë do të thotë “hundët përshesh” ti e paedukatë që e quan veten nënë më të mirë se unë”.
Boka është shumë aktive në rrjetet e sociale, mirëpo jetën e saj private e mban sa më larg që mundet nga kureshtja e ndjekësve të saj. /Insajderi.com