Nuk janë të rralla rastet kur këngëtarja, Beatrix Ramosaj ndanë fotografi të vjetra të familjes në llogarinë e saj në Instagram, ku numëron mbi 480 mijë ndjekës.
Së fundmi, ajo ka ndarë një histori të familjes së saj në 10 vjetorin e vdekjes së babait. Ramosaj kujtoi kohën kur babai i saj kishte nisur të ndërtonte një shtëpi, dhe për të shënuar këtë rast, u kishte kërkuar të gjithë familjes, të gdhendnin diçka në një dërrasë të dyshemesë, njofton Insajderi.
Kështu ata pas shumë vitesh të mund ta shihnin dhe të buzëqeshnin.
“Kur isha 8 vjeç babai nisi të ndërtonte shtëpinë tonë në Llapashticë. Dhe diku në atë vend, ai na bëri që të shkruajmë diçka, që pas disa vitesh ta shikonim dhe ta kujtonim atë moment përgjithmonë duke qeshur”.
I pari që shkroi në dërrasë, ishte babai i saj që renditi emrat e familjes që ta kujtonin kur të plakeshin.
“Familja e lumtur, Muhameti, Antigona, Beatrix, Alban. Kujtim kur të plakemi”.
Në një intervistë të vitit 2016 për revistën “Class”, ajo kishte folur për dërrasën dhe si familja kishin gdhendur shënime. “Kur po ndërtohej shtëpia, na tha ‘hajdeni të gjithë’ dhe ka shkruar emrat tanë dhe datën poshtë një dërrase të parketit, ajo është përmbysur tani dhe kush e di kur do e shohim”, kishte thënë ajo.
Ajo vendosi të ri-ndërtonte shtëpinë, për të gjetur kështu dërrasën që sa i fali nostalgji edhe e trishtoi. “Eh mor babë, nuk u plakëm dot bashkë”, shkruan ajo në një postim tjetër.
Ramosaj thotë, se i tillë ishte babai i saj, dinte që çdo gjë të vogël ta bënte të veçantë. Më pas ndau edhe një fotografi me xhaxhain e saj, Fadilin, i cili u qëndroi nipërve e mbesave gjithmonë pranë. “Ai është gjithmonë aty për mua. Më kujton babin”, shkruan Ramosaj për xhaxhain e saj.
Tani që shumë vite kanë kaluar, ajo falënderon të atin për këtë kujtim të bukur, dhe thekson se dhimbja e humbjes së tij nuk është zbehur aspak, por lutet për shëndetin e nënës dhe vëllait të saj, këngëtarit, Alban Ramosaj. /Insajderi.com