Erdhi një bashkëpunim, pastaj edhe një… e kështu u bënë katër bashkëpunime që u publikuan sot – dhe ku i dihet, dita ende nuk ka mbaruar.
Bashkëpunimi i parë që u publikua gjatë ditës së sotme ishte ky nga Dafina dhe artisti suedez Gee Dixon. Njëherësh ky projekt i ri i publikuar shënon edhe të 4-tin me radhë nga këngëtarja këtë verë. Bashkëpunimi i ri quhet “La Vida”, e ndonëse dyshja hasën në disa probleme si shkak i pandemisë, gjithçka u përfundua me sukses, njofton Insajderi.
Pastaj erdhi edhe bashkëpunimi i shumëpritur mes Ardian Bujupit dhe Xhensila Myrtezaj. Kjo për faktin se ky bashkëpunim nuk është i pari për dyshen – para dy vjetësh ata kishin publikuar këngën “Çika çika”. Pas suksesit të jashtëzakonshëm që kishte pasur kënga, dyshja u bënë prapë bashkë për të publikuar sot, bashkëpunimin më të ri, “Panorama”.
Ndryshe nga siç kanë vijuar bashkëpunimet këtë verë, Genc Prelvukaj bashkëpunoi me Granit Ismajlin për këngën “Lek i Madh”. Keni parasysh këngën “Eskorta” të Gencit? Lek i Madh është hiq më pak se një ekuivalent i asaj kënge, që synon të thumbojë, “meshkujt e paedukate e të pakulturë, fëmijë apo të afërm të zyrtarëve shtetërorë, biznesmenëve, trafikantëve dhe secilit të pasuruar paligjshëm, që na irritojnë me idiotësinë e tyre çdo dite”, siç kishte shkruar Genci në llogarinë e tij në Instagram.
Rikthehemi tek tingujt verorë që të nxitin të vallëzosh; për herë të parë Fifi dhe Young Zerka vijnë në një bashkëpunim që publikuan sot. Kënga titullohet “PaGajle” dhe sjell pikërisht atë që artistët premtuan, ritëm e energji. /Insajderi.com