Zhvillimet e fundit në Kosovë, kanë nxitur reagime të jo vetëm popullit, por edhe disa artistëve, njofton Insajderi.
Presidenti, Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, janë të akuzuar tashmë për 100 “krime lufte”, siç thuhet në aktakuzë.
Mozzik i cili ka kohë që shpreh hapur përkrahjen e tij ndaj Kadri Veselit, reagoi në një postim në llogarinë e tij në Instagram.
“O baca Lul, po ata që gëzohen sot që të paska ftuar gjykata speciale, po ata nuk janë shqiptarë more! O përherë me ty o komandat, amo bash gjithë jetën me ty! Shkofshi e u kthefshi faqebardhë. Nuk ka bir nane që dënon luftën e pastër të UQK-së! Respekt për çlirimtarët”, shkruan reperi mbi një foto ku shihet krah Veselit.
Me një postim në llogarinë e saj në Instagram edhe Leonora Jakupi shprehi përkrahjen e saj për UQK-në, duke shkruar thjesht, “Me ju përjetësisht”.
Një foto ku shihen Kadri Veseli dhe Hashim Thaqi si ushtarë, e ka postuar Gold AG ku shkruan, “Thuj çka dush nëse paske çka me thonë, veç jo për UQK-në dej n’qershorin 99”.
Edhe këngëtari Sabri Fejzullahu, që së fundi u nderua me “Çelësin e Qytetit” nga Shpend Ahmeti, reagoi me një postim në llogarinë e tij në Instagram. “Përjetësisht jemi me ju o çlirimtarë”.
E ndryshe nga të lartpërmendurit reagoi Bim Bimma, i cili është i zëshëm për zhvillimet politike të vendit edhe në muzikën që lanson. Ai shkruan thjesht “Pa hongër hudër, s’t’vjen era”, që u postua menjëherë pas lajmit për aktakuzën. /Insajderi.com