
Emisioni ‘Dua të të bëj të lumtur’ nën moderimin e Arbana Osmanit në ‘Top Channel’ është kritikuar referuar rastit të fundit të trajtuar të një gruaje të dhunuar nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, dhe me fokus të veçantë te viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Përmes një letre të hapur drejtuar Top Channel, organizatat i drejtohen televizionit me dijeni të AMA-s me një thirrje për shmangien e trajtimit riviktimizues ndaj viktimave të dhunës në familje dhe për dhënien e mesazheve të drejta kundër dhunës me bazë gjinore.
Letra e plotë:
Letra e plotë drejtuar Televizionit Kombëtar “Top Channel” – Programit “Dua të të bëj të lumtur”
Drejtuar: Televizionit Kombëtar “Top Channel” – Programit “Dua të të bëj të lumtur”.
Ben Blushi, Drejtor i Përgjithshëm i Top ChanneL
Për dijeni: Autoritetit të Medias Audiovizive
Këshillit Shqiptar të Medias
Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë
Shoqatës së Mediave Elektronike Shqiptare
Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi
Lënda: Thirrje për shmangien e trajtimit riviktimizues ndaj viktimave të dhunës në familje dhe për dhënien e mesazheve të drejta kundër dhunës me bazë gjinore
Të nderuar/a përfaqësues/e të programit: “Dua të të bëj të lumtur”, pranë televizionit kombëtar ‘Top Channel’
Ju drejtohemi në emër të një grupi organizatash që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, si edhe me fokus të veçantë viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Duke shprehur konsideratën për punën tuaj për informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve në luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje e duke shpresuar në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj, Ju drejtohemi me shqetësim lidhur me trajtimin e një prej historive personale të shfaqura në programin “Dua të të bëj të lumtur”, në televizionin kombëtar Top Channel, më datë 12 Janar 2019.
Gjatë transmetimit të programit, u përshkrua në mënyrë të detajuar historia e një gruaje viktimë e dhunës në familje ushtruar nga bashkëshorti i saj. Konsiderojmë se mënyra e trajtimit të historisë personale të Znj. E. justifikon dhe legjitimon ushtrimin e dhunës me bazë gjinore, duke u bërë faktor në riviktimizimin e vajzave e grave të dhunuara. Trajtimi jo i drejtë i këtij rasti abuzimi ka nxitur një valë të re komentesh të cilat paragjykojnë gratë e dhunuara, duke justifikuar dhunën ndaj tyre. Kjo qasje përforcon stereotipet gjinore ku gratë perceptohen si të nënrenditura, si pronë dhe ku dhuna tolerohet apo justifikohet dhe vjen si pasojë e një “faji” të viktimës. Pavarësisht se Znj. E. është në moshë madhore dhe është përgjegjëse për vendimet/zgjedhjet e saj, ne vlerësojmë se kjo histori nuk duhej përdorur në një fokus mediatik të tillë.
Vlerësojmë faktin se gjatë emisionit u theksua funksionimi dhe zbatimi i Ligjit nr. 9669, ‘’Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare’’. Nga ana tjetër, kemi besimin që ju mund të bëni punë më të mirë për të luftuar mendësinë problematike të shoqërisë shqiptare që përligj dhunën me bazë gjinore.
Nxitur nga kjo ngjarje, duke u bazuar në nenet e Kodit të Transmetuesve Audiovizivë të AMA-s[1], kërkojmë bashkëpunimin tuaj për të reflektuar qëndrimet e mëposhtme:
Respektimin e parimeve etike gjatë transmetimit të materialeve që kanë të bëjnë me viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, duke shmangur promovimin e rasteve të cilat pranojnë dhe justifikojnë dhunën, direkt apo indirekt. Raportimi i dhunës si një ‘gabim‘ dhe promovimi i ndjenjës së fajit dhe nevojës për të kërkuar falje nga ana e viktimës së dhunës, mund të nxisë viktima të tjera të heqin dorë nga raportimi i dhunës dhe si pasojë duke vënë në rrezik jetët e tyre. Në nivel shoqëror një qëndrim i tillë i medias përforcon stereotipet gjinore.
Ju ftojmë t’i bashkoheni qëndrimeve tona për të ndërtuar një shoqëri ku dhuna nuk tolerohet për asnjë arsye. Qasja shoqërore, e përforcuar edhe nga media ku kërkohen faji, apo motive e arsye që e “çuan” dhunuesin të dhunojë duhet të marrë fund.
Forcimin e bashkëpunimit mes Medias dhe Shoqërisë Civile nëpërmjet nismave të përbashkëta, për të përmirësuar mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me të drejtat e njeriut. Media duhet të jetë një faktor emancipues për stereotipet, rolet, pabarazinë gjinore dhe qëndrimet diskrimuese.
Sugjerojmë, që të konsultoheni me ekspertë të fushës paraprakisht në rastet kur prezantoni histori apo ngjarjeve që trajtojnë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje, për të shmangur trajtimin jo të duhur të këtyre problematikave madhore të shoqërisë dhe familjeve shqiptare.
Duke besuar në ndërgjegjësimin tuaj si qytetarë dhe profesionistë të medias kërkojmë edhe një herë t`u kushtoni vëmendjen e duhur parashtrimeve tona, si dhe shprehim gadishmërinë tonë për bashkëpunim të mëtejshëm.
Sinqerisht
AËEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
Forumi Gruas Elbasan
Gruaja tek Gruaja, Shkodër
Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Tiranë
Qendra Për Nisma Ligjore Qytetare, Tiranë
Qendra Psiko-sociale “Vatra”, Vlorë
Shoqata e Grave me Probleme Sociale, Durrës
Shoqata “Unë Gruaja”, Pogradec
Shoqata “Agritra Vizion”, Peshkopi
Shoqata “Jona”, Sarandë
Zyra për Djem dhe Burra, Shkodër
Zyra për Djem dhe Burra, Tiranë
Civil Right Defenders
Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT
Fondacioni Shqiptar i Personave me Aftësi të Kufizuar
Qendra T’REJA
Shërbimi Ligjor Falas – TLAS
Në Dobi të Gruas Shqiptare
Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome