Ku mbeti Bearti i “Për’puthen”?

Ku mbeti Bearti i “Për’puthen”?

Beart Rexhepi ishte një nga konkurrentët e emisionit ‘reality’ “Për’puthen” në Top Channel, njofton Insajderi.

Shumë nga ndjekësit e shfaqjes, kanë vënë re mungesën e tij që disa ditë, mirëpo produksioni asnjëherë nuk e ka shpjeguar arsyen pse ai nuk është prezent në studio me të tjerët.

Për aq pak kohë sa ishte, ai pati takime me dy nga vajzat e studios, Anën dhe Tean, por mjaftoi që të krijonte një simpati të madhe tek publiku.

Ishte Bearti ai që sqaroi të gjithë situatën që ngriti kureshtjen e shumë shikuesve. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, ish-konkurrenti thotë se pas mijëra mesazheve që kishin arritur në kutinë e tij të mesazheve, ai kishte vendosur të sqaronte arsyen e largimit, duke konfirmuar kështu, se ai nuk është më pjesë e formatit.

Ai ka treguar se kishte kërkuar disa herë të fliste me autoren e programit, Olsa Muhameti dhe ajo “e kishte injoruar”.

“Në fund vendosa të mos jem lojtar i saj dhe dola nga loja…Ju, dashamirës, meritoni njerëz të vërtetë së bashku me ndjenjat e tyre, jo disa kukulla që sillen si ju thonë të sillen.”- ka shtuar ai, teksa ai ka etiketuar edhe autoren e emisionit, Olsa Muhametin.

Bearti, sërish nuk sqaroi saktësisht se çfarë pakënaqësish kishte pasur gjatë kohës sa ishte atje. Ndërkohë, sa emisioni kishte vazhduar javën e kaluar, as moderatorja Bora Zemani, as opinionisti Arjan Konomi e as konkurrentët tjerë, nuk kishin adresuar mungesën e tij. /Insajderi.com