Kurti me gruan dhe vajzën në premierën e filmit kosovar në Kanë

Kurti me gruan dhe vajzën në premierën e filmit kosovar në Kanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar disa fotografi teksa po qëndron në Francë bashkë me gruan dhe vajzën e tij, ku po ndjekin premierën e filmit kosovar me metrazh të shkurtër “Pa vend” që është në garë për Palmën e Artë në Festivalin e Kanës, njofton Insajderi.

Në llogarinë e tij në Instagram, Kurti ka publikuar fotografi nga çilimi i kuq në shoqërinë e gruas së tij, vajzës dhe ambasadorit Qëndrim Gashi.

“Nga 3.739 filma të metrazhit të shkurtër nga mbarë bota komiteti selektues i Festivalit të Cannes sivjet i ka përzgjedhur 10 sosh. Në mesin e tyre është edhe filmi nga Kosova “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda i cili sot mori duartrokitje të gjata nga publiku këtu në sallën Debussy në Cannes. Ishte kjo premiera botërore e këtij filmi kurse në fillim të muajit gusht ai do të shfaqet në Festivalin Dokufest në Prizren.

Urojmë që nesër mbrëma në ceremoninë përmbyllëse të edicionit 74 kur shpallen fituesit e Palmës së Artë të këtij festivali prestigjioz të ngadhënjejë filmi ynë. Këtu është shfaqur edhe një film tjetër nga Kosova, artistik e i metrazhit të gjatë, “Luaneshat e Kodrës”, i regjisores së re Luàna Bajrami, i cili garon për Kamerën e Artë”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se mbështetja e qeverisë së Kosovës për filmin kosovar do të rritet ndjeshëm për vitet në vijim, “sepse në këtë fushë arti e kulture po shpërthejnë talentet tona e po na bëjnë krenarë në arenën ndërkombëtare”.

Ndryshe, Kurti është kritikuar nga opozita për mungesën e tij në Kosovë, gjatë kohës kur në Komunën e Deçanit është shpallur gjendje emergjente, pasi dyshohet se qindra banorë janë helmuar nga uji i pijes./Insajderi.com

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Albin Kurti (@albinkurti_)