Qeveria e kaluar ka ndaluar dasmat e ahengjet për shkak të COVID-19. Rrjedhimisht aktivitetin kryesor të estradës shqiptare. Ata sot protestojnë – për rikthimin e “gëzimit dasmor”.
Këngëtar i kamotshëm dhe deputet për një mandat, Labinot Tahiri, që me emrin artistik njihet si Labi, sot, e hënë, në orën 11:00, pritet të protestojë, bashkë me kolegë të tij – dhe kushdo që do i bashkohet – para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, njofton Insajderi.
Arsye e protestës është vendimi i tashmë qeverisë së kaluar për pezullimin e dasmave dhe ahengjeve gjatë verës – aktiviteti kryesor komercial i estradës shqiptare – si masë preventive e mos shpërndarjes së COVID-19.
Labi, por edhe artistë të tjerë që janë rreshtuar krah tij, duan anulim të këtij vendimi dhe e kanë cilësuar si të padrejtë.
Vendtakimi origjinal i protestës ishte para Ministrisë së Shëndetësisë, por lokacioni ka ndryshuar. Tash do mbahet tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Shkak – numri i madh i të interesuarve ka thënë Labi në një njoftim në llogarinë e tij në Facebook.
“Për shkak të interesimit të qytetarëve dhe bizneseve, protesta është vendosur të mbahet aty!
Mund te dalin qytetarë pa përjashtim, kolegë të mi, pronarë biznesesh, qytetarët që duan të protestojnë për hallet e jetës se tyre, etj”, ka bërë thirrje Labi.
Këngëtari ka njoftuar se kjo do të jetë protesta e parë dhe e fundit e këtij lloji që do ta organizojë./Insajderi.com