Manchester, shiten gjithë biletat për koncertin e bamirësisë

Manchester, shiten gjithë biletat për koncertin e bamirësisë

Biletat për koncertin e bamirësisë që do të mbledhë bashkë yjet, në ndihmë të viktimave të sulmit me bombë në Manchester, janë shitur brenda pak minutash të enjten.

Koncerti i bamirësisë “One Love Manchester” do të hapet nga Ariana Grande, këngëtarja amerikane, koncerti i së cilës në qytetin verior të Anglisë, më 22 maj, u godit nga sulmi kamikaz që u mori jetën 22 personave dhe plagosi 116 të tjerë, shkruan TCh.

“Coldplay”, Justin Bieber, Miley Cyrus, Pharrell Williams, “Take That” dhe “Black Eyed Peas” do të performojnë po ashtu në koncertin që do të mbahet në terrenin sportiv të kriketit të “Emirates Old Trafford”, të dielën.

Fansat që morën pjesë në koncertin e mëparshëm të Grande kanë pasur mundësinë të përfitojnë biletat falas për koncertin që do të transmetohet edhe nga televizionet britanike.

Fitimet nga shitja e biletave do të shkojnë për fondin e emergjencës “Ne e duam Manchesterin”, ngritur për të ndihmuar familjet e viktimave dhe të lënduarit e sulmit.

Në një deklaratë, që lajmëronte mbajtjen e koncertit të bamirësisë, Grande tha se shpresonte të nderonte ata që humbën jetët, të dashurit e tyre dhe fansat e saj të prekur nga tragjedia.