Mashtrimet në internet nën emrat e të famshmeve shqiptare

Mashtrimet në internet nën emrat e të famshmeve shqiptare

Nëse jeni përdorues i rregullt i rrjeteve sociale gjasat që keni parë dhe keni hyrë në një ‘giveaway’ të çfarëdo lloji janë shumë të mëdha. Shumicën e kohës, nisma të tilla janë të sigurta sa i përket të dhënave tuaja personale, meqenëse u kërkohet vetëm një etiketim në postim ose shpërndarje e atij postimi, njofton Insajderi.

Dhurimet janë një mjet i njohur që bizneset përdorin për të angazhuar klientët në mediat sociale, veçanërisht në Facebook dhe Instagram. Por, për fat të keq, ka disa personazhe të parespektueshëm që premtojnë dhurata për të mashtruar njerëz.

Vetëm së fundmi, emri i këngëtares Leonora Jakupi është keqpërdorur nën pretendimin se ajo po dhuron një iPhone. Konkretisht në Facebook, në një faqe që mbanë emrin e Jakupit po premton 15 telefona të llojit iPhone Pro Max.

Këngëtarja ka postuar faqen e rrejshme në llogarinë e saj në Instagram, duke paralajmëruar njerëzit se ajo nuk pronarja e faqes e as nismëtarja e dhurimit, e kështu kërkon nga ndjekësit e saj të raportojnë faqen dashakeqe.

No description available.

Leonora Jakupi është vetëm rasti më i fundit i mashtrimit në rrjete sociale. Në gusht të këtij viti patëm edhe rastin e moderatores shqiptare, Nevina Shtylla, ku në llogarinë e saj në Instagram, lajmëroi ndjekësit se emri i saj po keqpërdoret në këmbim të të mirave materiale.

Një rast më ndryshe nga forma e ‘giveaway’ një individ ose grup individësh të panjohur, kishin hapur llogari false në emrin e moderatores, duke mashtruar bizneset online t’u dërgonin të mira materiale në këmbim të reklamimit dhe promovimit.

Në nëntor të vitit të kaluar, pre e keqpërdorimit të identitetit ra edhe Shkurte Gashi. Në të njëjtën formë si tek rasti i Leonora Jakupi, u hap një faqe në Instagram në emrin e këngëtares ku pretendonte se po dhuronte një iPhone 11.

Për media të shumta, Shkurte Gashi kishte deklaruar se faqja në Facebook nuk është në pronësinë e saj dhe se ajo nuk po dhuron një telefon. /Insajderi.com